E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, protestuesit përleshen me policinë

Athinë -Protestat e dhunshme në Greqi, kanë hyrë sot në ditën e 13-të, ku demonstruesit kanë hedhur bomba molotovë dhe gurë ndaj policisë jashtë parlamentit. Nga ana tjetër sindikatat bllokuan fluturimet dhe mbyllën zyrat publike. Demonstruesit duke valëzuar flamuj të kuq shtynë policinë, e cila formoi një kordon rreth parlamentit, dhe u përpoqën të digjnin një pemë të krishtlindjeve në sheshin jashtë saj. Policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

"Të rrëzohet qeveria e gjakut, e varfërisë dhe privatizimeve", shkruhej në një nga pankartat që mbanin afro 7 000 marshues në protestën kundër reformave sociale dhe ekonomike, dhe dështimit të qeverisë për të mbrojtur grekët nga kriza ekonomike globale. Sindikatat, studentët dhe mësuesit zhvilluan protesta në qytetin verior Selanik dhe ishullin Kretë.

"Nuk kemi mbaruar vetëm sepse janë krishtlindjet. Ne do të vazhdojmë dhe do të intensifikojmë përpjekjen tonë në vitin e ardhshëm", deklaroi Stathis Anestis, zëdhënësi i sindikatës së sektorit privat GSEE që mori pjesë në manifestim. Një grevë tre orëshe e punonjësve publikë ndaloi të gjitha fluturimet përveç atyre emergjente gjatë ditës. Shërbimet e transportit urban u ndërprenë, ndërsa mjekët dhe mësuesit u larguan nga puna, duke risjellë në kujtesë grevën kombëtare 24 orëshe të javës së kaluar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›