Greqi, sektori shtetëror sot në grevë 24-orëshe për krizën

Athinë, 10 shkurt, NOA - Punonjësit e sektorit
publik në Greqi kanë paralajmëruar një grevë 1-ditore gjatë ditës së sotme. Kjo
grevë organizohet fill pas asaj 2-ditore që ndërmorën doganierët grekë, për
shkak të së cilës u mbyll edhe kufiri jugor në pikat doganore me Shqipërinë, si
edhe asaj të fermerëve, e cila gjithashtu pati ndikime direkte për vendin tonë. Gjatë grevës 24-orëshe bëhet me dijeni se do
të ndërpriten fluturimet, zyrat qeveritare dhe shkollat do të mbyllen, ndërsa
spitalet do të operojnë vetëm me personelin e emergjencës.
Ndërkaq, greva e sotme e sektorit publik, shihet
edhe si testi i parë për përkushtimin e qeverisë greke që të shtyjë përpara
planet për tejkalimin e krizës ekonomike në vend.
Kjo e fundit duket se ka tronditur gjithë Eurozonën,
e cila paraqitet e shqetësuar nga efektet që sipas saj mund të kenë në ekonominë
e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, normat e larta të deficitit buxhetor
të qeverisë greke.
n.e/NOA