E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Lehtë ju qoftë mbi krye lëndina...”

Agim Picaku* 

Miqtë e mi! Ju ikët ashtu shpejt e larg, aq larg saqë ne nuk ju zëmë më. Do trokisni në kujtimet tona, ditëve që nuk ju lanë t’i jetonit. Më vjen keq për mënyrën sesi ju njoha unë dhe gjithë shqiptarët. Do kisha dashur t’ju kisha njohur ndryshe, do kisha dashur të pija ndonjë kafe me ju, pas punës së lodhshme e stresuese. Ju ikët ashtu shpejt e larg, saqë unë nuk pata mundësi t’ju thosha se jam një nga ish-kolegët tuaj, që s’u takuam kurrë nga afër edhe pse jetonim në të njëjtin qytet, edhe pse i përkasim së njëjtës gjeneratë, edhe pse i përkasim të njëjtit profesion.  Për një çast Shqipëria ndali frymën para veprës suaj. E di, do flasim edhe ca kohë për ju, do shkruajnë gazetat me fjalë të zgjedhura e të ndjera, do ju japim tituj a grada, urdhra a medalje, do ju përkujtojmë çdo vit si shembull i moralit të lartë të shërbimit ndaj shtetit, do ju sjellim lule në varreza, por një gjë s’do mund ta arrijmë dot kurrë: s’do mundemi t’ju kthejmë më mes nesh.    

Miqtë e mi!
Ju m’i zgjuat plagët që flenë tek unë tash sa vite. Janë plagë që ende vazhdojnë të pikojnë dhimbje, sa herë që dëgjoj për një vrasje, aq më tepër kur vrasja bie mbi  njeriun me uniformë.
Në asnjë rast një polic nuk del në aksion për të vrarë një person në kërkim, sado i rrezikshëm të jetë ai, por  në çdo rast është i vetëdijshëm për mundësine e moskthimit më në shtëpi. Një polic është  njeri si çdo njeri prej jush, që ka zgjedhur një profesion për të jetuar. Një polic është bir i një nëne, vëlla i një motre, burrë i një gruaje, baba i një fëmije. Një polic e kupton se misioni i tij është të luftojë kundër absurditetit njerëzor, por kurrë s’do donte  të bëhej personazh legjendash. Një polic e do jetën po aq sa një politikan ose biznesmen, një doktor a punëtor i  thjeshtë, edhe pse është i detyruar të pranojë riskun e profesioni të zgjedhur, që në ndonjë rast mund të jetë fatal. Të gjitha këto i di dhe i mendon një polic, nga më i thjeshti, deri te më profesionisti, megjithatë ai nuk është i penduar për zgjedhjen e bërë pasi është i vetëdijshëm se po i shërben vendit të tij. Ai shpreson se njerëzit do jenë më të ndërgjegjshëm për ta respektuar këtë detyrë të shenjtë. Një polic nuk zgjedh këtë profesion për t’u bërë hero, por mund të bëhet i tillë atëherë kur nuk mund ta kuptojë se është bërë. 
Ne s’kemi nevojë për t’u bërë heronj pas vdekjes. Nëse do ndryshonim pak sjelljen tonë si qytetarë, opinionin tonë, vlerësimin tonë ndaj personit me uniformë të paprekshme, atëherë do të kuptonim se sa e vështirë dhe e pamundur është zbatimi i ligjit kur nuk është e kultivuar që në vogëli, në vetdijen e secilit, respekti për njeriun që e zbaton këtë ligj. Të mendojmë vetëm një çast ndjesitë që provon një polic i Qarkullimit Rrugor, i cili është i pari që mbërrin në vendin e një aksidenti. A e dini ju se ajo që shohim ne në kronikën e zezë është varianti më i lehtë për t’u pranuar nga ana psikologjike, në raport me pamjet makabre që është i detyruar të shohë dhe të operojë një polic? A e dini ju, se një polic i RENEA-s edhe pas largimit të tij nga policia është i detyruar të jetojë deri në vdekje me pasojat psikologjike të ngjarjeve që ai mund të këtë përjetuar në detyrë. Unë ju solla në kujtesë dy raste heronjsh të pashpallur.
Në çdo vend të botës, policia është në luftë me botën e krimit, por të paktën ndihet e vlerësuar në maksimum, jo vetëm nga shteti të cilit i shërben, por edhe nga komuniteti, që është edukuar me ndjenjën e respektit ndaj personit që zbaton ligjin. Nëse ky ligj do zbatohej siç duhet, që nga ata që quhen ligjbërës, e deri tek ata që quhen ligjzbatues, jam i bindur se ajo listë e gjatë, absurde dhe e frikshme e policëve të vrarë në një vend me minipopullsi, siç është Shqipëria, do ishte shumë herë më e shkurtër, shumë herë më e pranueshme për këdo që e kupton se jeton në një vend të lirë e demokratik. Por për ironi të fatit, ne jetojmë në një vend ku respekti ndaj ligjit është në miniaturë. Sa herë që ndodhin ngjarje të tilla të rënda e ndjejmë nevojën e të kuptuarit më thellë të fjalës “respekt” ndaj ligjit të shtetit.
Po sjell në kujtesë filozofin e madh grek, Sokratin, kur në gjyqin e Athinës i përbërë nga 500 gjyqtarë e dënuan atë me vdekje me akuzën absurde “si nxitës për degjenerimin e rinisë”. Sokrati e kishte tërë guximin e mundshëm, tërë zgjuarsinë e duhur për ta shmangur këtë gjykim të padrejtë, por për çudinë e të gjithëve, ai rrëmbeu një kupë me helm dhe në mënyrë demonstrative dëshmoi para të gjithëve se ai i nënshtrohet ligjeve të vendit të tij, qofshin këto dhe të gabuara. Sa shumë kemi nevojë të kuptojmë më thellë këtë akt të ndodhur 2500 vjet më parë në shtetin fqinj, nga personi që vuri themelet e demokracisë në botë. Unë solla shembullin e një figure historike, me përmasa botërore, të cilit nuk mund t’i afrohemi as nga madhështia, as nga zgjuarsia, por të paktën të përpiqemi t’i ngjajmë...

Miqtë e mi!
E kam të vështirë të flas sot me ju, edhe pse në profesionin tim si polic i shtetit, dy herë kam provuar shijen e plumbave mbi trupin tim, dy herë kam parë kufirin e jetës me vdekjen. Është dhuratë e Zotit që unë kam mundësi të shpupuris me dorë përsëri flokët e djalit tim dhe ta shoh atë teksa rritet, apo të shijoj supën e ngrohtë të nënës sime plakë, që ma ofron mbi tavolinë kur kthehem te shtëpia e vjetër. Është dhuratë nga Perëndia që unë eci përsëri në rrugë dhe ndiej përplasjen e ajrit mëngjeseve stinore. Nëse ju nuk mundët dot të jepnit një apel për më shumë respekt e mirënjohje për njerëzit që bien në krye të detyrës, e ndiej si obligim ta përcjell unë këtë mesazh.

Miqtë e mi!                                                               
Unë e di se fjalët ngushëlluese nuk mund ta zbusin dot dhimbjen e njerëzve tuaj më të dashur, të cilëve do t’u mungoni përgjithmonë, por të paktën ata të ndihen krenarë se ju ratë si trima, si ata heronjtë që Fishta i madh i qante me lahutë:
“Lehtë ju qoftë mbi krye lëndina,
butë ju shkofshin moti e stina”. 
Lamtumirë miqtë e mi, që nuk e pata fatin t’ju njihja së gjalli!...

*Ish-oficer i Forcave Speciale të Policisë, i plagosur dy herë në
aksione kundër krimit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›