Greqi shuhet ne aksident nje familje emigrantesh shqiptare
Një familje shqiptare u shua dje në mëngjes në një aksident të tmerrshëm automobilistik që i mori jetën edhe një shtetasi grek. Familja e përbërë nga dy prindërit dhe vajza e mitur udhëtonte me një veturë drejt kufirit shqiptar, kur u përplas me një tjetër mjet që udhëtonte në drejtim të kundërt dhe të dyja makinat u përfshinë nga flakët.
Sipas informacioneve të dhëna nga policia e shtetit fqinj, ngjarja ka ndodhur në rrugën që lidh Patran me Athinën, ku makina me të cilën po udhëtonte familja shqiptare është përplasur me një automjet tjetër që drejtohej nga një 25-vjeçar grek.
Goditja ka rezultuar fatale. Dy makinat janë përfshirë nga flakët, duke u marrë jetën dy bashkëshortëve, Haxhi dhe Shqiponja Malaj, si dhe vajzës së tyre 5-vjeçare Lala Malaj.
Familja shqiptare po udhëtonte drejt pikës kufitare të Kakavijës, për të ardhur në Shqipëri me rastin e festave të fundvitit.
Raportohet se nga aksidenti ka humbur jetën edhe një person që ndodhej në makinën tjetër, me të cilën u përplas familja shqiptare. Shkak i aksidentit, sipas hetimeve paraprake të autoriteteve greke, ka qenë pikërisht ky i fundit, një 25-vjeçar i cili po ecte me shpejtësi të madhe.
Ndërkohë që trupat e pajetë të tre anëtarëve të familjes Malaj janë dërguar në një morg të Athinës, në shtëpinë e tyre në Vlorë është hapur morti. Familja me origjinë nga fshati Gjorm kishte vite që jetonte në Greqi, por kishin marrë edhe një shtëpi me qira në qytetin e Vlorës, ku qëndronin për pushime dhe për festa, për t’u çmallur me të afërmit.
Shtëpia përdhese në lagjen “1 Maji” të Vlorës, që ishte bërë gati për festë, i hapi dyert dje për mort. Të afërm të viktimave thanë se po i prisnin Haxhiun, Shqiponjën dhe Lalën e vogël për të kaluar së bashku Vitin e Ri, por u zgjuan në mëngjes me lajmin e kobshëm. Të afërm të familjes kishin kryer dje të gjitha procedurat për transportimin e trupave të pajetë drejt vendlindjes dhe varrimi i tyre pritet të bëhet sot.