E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqatat e pronareve thirrje per te mbeshtetur Dukatin

“Pronësi me Drejtësi” dhe “Bregdeti” përshëndesin protestën

Dy shoqatat më aktive të atyre që tashmë njihen si ish-pronarë kanë përshëndetur dje protestën e banorëve të Dukatit, që kërkojnë me forcë njohjen e pronave të trashëguara.

Shoqata “Pronësi me Drejtësi” dhe shoqata “Bregdeti” dolën dje me dy deklarata që bashkohen në mbështetjen e plotë të banorëve të Dukatit në kërkesat për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronësisë.

“Pronësi me Drejtësi”

Në emër të pronarëve të shpronësuar nga diktatura, kryetari i shoqatës, Rrapo Danushi i shpreh me anë të një letre gjithë mbështetjen popullit të Dukatit, për protestën paqësore, maturinë dhe solidaritetin që po tregojnë. “Lufta e tyre meriton respektin e gjithë shqiptarëve që kërkojnë çrrënjosjen e sllavokomunizmit që në këto 20 vjet është shndërruar në kusari ose kleptokraci.

Politikanët grabitqarë, deri sot kanë arritur që disa nga ambasadorët e BE, KE, OSBE, SHBA, t’i bëjnë për vete, t’i mashtrojnë ose dhe t’i korruptojnë, por kjo nuk do të zgjasë dot më gjatë”, shkruhet në këtë letër. Sipas Rrapo Danushit, protesta paqësore e Dukatit është thirrje për të gjithë pronarët e bregdetit nga Velipoja e Lezha deri në Sarandë, që të marrin shembull dhe të mos përçahen nga politikanët batakçinj, siç ndodhi me Kakomenë. “Protesta e 27 dhjetorit e popullit të Dukatit është thirrje për të gjithë pronarët e Shqipërisë që prej 20 vjetësh po presin lëmoshë pronën e tyre të trashëguar nga hajdutët e veshur me pushtet”, shkruan Danushi.

“Bregdeti”

Shoqata “Bregdeti”, që përfaqëson pronarët e vjetër të fshatrave dhe qyteteve të bregdetit të Jonit, mbështet plotësisht kërkesat e pronarëve të Dukatit dhe të fshatrave përreth që kërkojnë nga pushteti kthimin me ligj të pronave të tyre të trashëguara. “E mbështesim Dukatin, sepse këto janë kërkesa të drejta dhe në përputhje me detyrimet kushtetuese që qeveria duhet t’i kishte zbatuar me kohë, pa pasur nevojë për protesta masive dhe mosbindje civile”, thuhet në deklaratën që shpërndau dje kryesia e kësaj shoqate. Në deklaratë thuhet se kthimi i pronës në zbatim të nenit 181 dhe 41 të Kushtetutës është detyrim për qeverinë, por nuk po funksionon asnjë institucion që të jetë garant për zbatimin e Kushtetutës. Të gjithë pronarët e zonës turistike kanë protestuar dhe do të vazhdojnë të protestojnë ndaj shkeljes së të drejtës së pronës së trashëguar dhe mbështesin protestën e Dukatit se ajo është protesta për t’u shkëputur nga anarkia postkomuniste dhe për t’u futur në demokraci.

Kryesia e shoqatës “Bregdeti” argumenton se mbështet kërkesat e Dukatit sepse: dukatasit kërkojnë pronat e trashëguara; kundërshton veprimet antiligjore të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe kundërshtojnë kontratat që qeveria nënshkruan me të tretët në kurriz të pronarëve.

Shoqata në fjalë angazhohet të ofrojë çdo ndihmë për zgjidhjen e drejtë të problemit të dukatave dhe gjithë pronarëve të nëpërkëmbur të Shqipërisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›