Qendresa qe nga Kuvendi i Madh
Në qershor të këtij viti, banorët e fshatit me nam u mblodhën në atë që e quajtën Kuvendi i Madh i Dukatit dhe vendosën të sfidojnë shtetin, duke vendosur vetë për organizimin e jetës dhe administrimin e pronës në zonë. Burrat e fshatit caktuan një pleqësi që do të merrte vendimet për çdo situatë dhe hartuan një peticion drejtuar institucioneve shtetërore. Në këtë peticion kërkohet që fshatit t’i njihet ligjërisht e drejta e pronësisë mbi tokat e Karaburunit dhe Llogorasë, si dhe vendosja e një kushti për të bërë referendum për çdo veprim që mund të prekte interesat e banorëve të zonës. Pas ngritjes së strukturave të tyre, dukatasit organizuan gjatë verës një seri protestash që shkuan deri në bllokim e sabotim të rrugëve nacionale (hedhje vaji në pjesët e pjerrëta). Në nëntor, një tentativë e dukatasve për të bllokuar rrugën nacionale hasi në rezistencë të fortë të policisë, gjë që çoi në përleshje mes palëve dhe arrestimin e disa djemve të fshatit, të cilët u liruan shpejt.