E Diel, 1 Nëntor 2026

Perfundon segmenti i fundit i Rruges se Kombit

Kukës

Përfundon segmenti i fundit i autostradës së Kukësit. Segmenti Fushë Dukagjin – Kolsh me një gjatësi prej rreth 5.5 kilometrash, ka përfunduar këto ditë, ndërkohë që ishte premtuar të përfundonte disa muaj më parë. Afati i fundit i dhënë nga përfaqësuesit e kompanisë sipërmarrëse “JV Alb-Building”
ishte lënë java e parë e nëntorit 2010, datë e cila u kapërcye dhe mjetet u endën në rrugën e vjetër, në një gjatësi prej 8 kilometrash. Ky segment autostrade shkurton 4 kilometra distancën aktuale të rrugës, si dhe nga ana tjetër kursen jo më pak se 20 minuta kohën e udhëtimit nga Prishtina në Tiranë dhe anasjelltas. Pjesa Fushë Dukagjin-Kolsh është cilësuar si mjaft e vështirë, ngjashëm me terrenin e grykës së Fanit ku ka punuar firma “Bechtel-Enka”. Aty janë ndërtuar 1.300 metra linear ura dhe janë zhvendosur mijëra metër kub inerte. Segmenti është financuar nga vendet arabe dhe ka kushtuar 42 milionë dollarë. Përmbushja e këtij projekti i jep fund çdo segmenti të rrugës së vjetër dhe përbën një ngjarje për komunikacionin rrugor, ndonëse për të nuk u zhvillua asnjë ceremoni siç bëhet zakonisht në raste të ngjashme. Zbatuesit e projektit thjesht kanë vendosur një tabelë “Stop” në nyjën e deritanishme të rrugës, pas së cilës ka mbetur përgjithnjë rruga e mundimshme e vjetër. Kujtimi i fundit i këtij segmenti është një trajler i djegur një javë më parë, ku siç thanë ekspertët, mori flakë për shkak të frenimit të detyruar në ato pak kilometra terren të vështirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›