E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama pranon ‘dështimin’, në kërkim plani B për Afganistanin

 

Presidenti amerikan, Barak Obama, ka nisur dje takimet për rishikimin e strategjisë në Afganistan, pas ‘dështimit’ të deritanishëm, duke diskutuar në televizionin kombëtar, nëse Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin qeverinë dhe armatën afgane. Obama është shprehur para Kongresit se nuk ka ndërmend ta reduktojë nivelin e trupave amerikane ose t’i kufizojë sulmet me aeroplanë pa pilot kundër Al Kaedës. Ai nuk pritet të heqë dorë as nga ndërtimi i qeverisë dhe armatës afgane. Këto janë pika të planit B të Uashingtonit, në të cilin deri tani duket se nuk është përfshirë kërkesa e gjeneralit Stenli Mekristall, për të dyfishuar numrin e trupave. Në vend të këtij propozimi, mund të dalë ideja për ndërtimin e armatës afgane, që të jetë ajo përgjegjësja që duhet të marrë përsipër luftimet, ndërsa SHBA të fokusohen në mundjen e Al Kaidës në Pakistan. Sipas analistëve, një vendim i tillë mund t’i përsëriste gabimet e administratës Bush, të cilat i trashëguan administratës Obama telashet që ka tani Afganistani, por edhe situatën në Irak, të cilin tre vjet më parë e çuan drejt shkatërrimit. Kur Bush vendosi në atë kohë reduktimin e trupave, sulmet në Irak kundër forcave të sigurisë u shumëfishuan, ndërsa kur më pas trupat u shtuan sërish, situata u normalizua. Duke vendosur që ta mbajë nivelin e trupave siç është, Obama ka zgjedhur vazhdimin e luftës në Afganistan. Plani i ri i Shtëpisë së Bardhë nuk garanton sukses. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›