E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, vijojnë protestat kundër masave të qeverisë

ATHINE- Në Greqi vijojnë protestat kundër masave shtrënguese të qeverisë Papandreu, të cilat kanë synim të reduktojnë deficitin buxhetor. Grumbulluesit e plehrave kanë dalë në rrugët e kryeqytetit grek dhe kanë protestuar duke i bërë thirrje qeverisë të anullojë masat e marra.

Mbledhësit e plehrave në fakt kanë qenë në grevë pesë ditët e fundit. Koshat e plehrave janë tejmbushur dhe derdhur në rrugë. Protestuesit kanë mbajtur në duar një arkivol për të simbolizuar vdekjen e bonuseve dhe përfitimeve të punëtorëve.

Punonjësit thonë se do të vazhdojnë grevën deri të enjten tjetër. Planet e Papandreut përfshijnë ngrirjen e pagave të sektorit publik dhe të pensioneve, heqjen e pagave suplementare dhe bonuseve për pushimet e punëtorëve. Plani përfshin dhe rritje taksash.

Një grevë e madhe publike 24 orëshe është programuar si nga sektori publik ashtu dhe privat për në 11 mars.
Kryeministri grek Jorgos Papandreu që ka udhëtuar në vendet kryesore europiane dhe në SHBA së fundi, nuk ka marrë premtim konkret për fonde nga këto vende, por ka siguruar vetëm mbështetje në betejën për të luftuar spekulimin e tregjeve financiare. Bashkimi Europian e ka bërë të qartë se Greqia duhet të dalë vetë nga kriza e thellë e deficitit buxhetor.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›