Kapiteni Altin Lala: Jam ushtar i Kombëtares
I rikthyer pas gati 16 muajsh në Kombëtare, Altin Lala, 34-vjeç ka të njëjtin humor me gazetarët edhe pse gjatë konferencës për shtyp në hotel “Dyrrah” ishte për herë të parë në krah të trajnerit Kuzhe. “Kam pasur biseda dhe me trajnerin, i cili ka ardhur edhe në Hanover. I kam shprehur atij gatishmërinë time. Nëse unë aktivizohem me ekipin tim (Hanover 96, Bundesliga 1) dhe nga ana fizike jam mirë, atëherë pse nuk duhet të jem me Kombëtaren”, ka thënë mesfushori. Megjithatë ai është i vetëdijshëm për kontributin e tij, por dhe të futbollistëve të tjerë të thirrur. “Kombëtarja ka nevojë për shumë lojtarë, të cilët aktivizohen, janë në formë të mirë. Edhe unë besoj se jam në formë të mirë dhe mund të jap kontributin tim. “Secili lojtar që luan me Kombëtaren, natyrisht, është krenar që ta japë sa më shumë për këtë sport, që ta çojë sa më parë e sa më lart skuadrën në renditje. Nëse do ta çonim Shqipërinë një vazo me lart, për ata lojtarë që do të vinë më pas, patjetër do ta kenë më të lehtë që dhe ata ta çojnë më lart. Unë do të doja edhe si tifoz ta shihja Shqipërinë në një finale të Kampionatit Botëror apo Evropian. Do të ishte edhe një plotësim i ëndrrës sime”, ka pohuar ai. Altin Lala ka veshur për herë të parë fanellën e Kombëtares, 12 vjet më parë, pikërisht më 21 janar të vitit 1988, në ndeshjen miqësore kundër Turqisë, të fituar 4-1 në Gaziantep (trajner Astrit Hafizi).