E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia “e ftoh” Zicon

Zico është duke e shqyrtuar karrierën e tij si trajner, pas shkarkimit nga klubi grek, Olympiakos. Strategu brazilian ka komentuar aventurën e tij në Greqi në uebfaqen e tij zyrtare, duke shprehur habinë e tij, për mënyrën e shkarkimit nga detyra, por foli edhe për dhunën, e cila është vazhdimisht prezente në stadiumet greke. “Është e pakuptimtë”, tha Zico, rreth shkarkimit nga Olympiakos. “Kemi pasur rezultate të mira. Gjëja më e keqe ishte që për shkarkimin jam njoftuar në uebfaqen zyrtare të klubit. Kurrë nuk kam parë diçka të tillë. Jam shkarkuar nga një përfaqësues ligjor, sikur kam bërë diçka gabim”, shtoi ai.

Olympiakos gjendet në pozitën e dytë në kampionatin grek, me 40 pikë nga 18 ndeshje, shtatë më pak se lideri Panathinaikos. Zico, i cili ishte emëruar trajner i Olympiakosit në muajin shtator të vitit të kaluar, udhëhoqi ekipin drejt pozitës së dytë në Grupin H të Ligës së Kampionëve, duke e siguruar kualifikimin për në fazën eliminatore të garës. Mirëpo, suksesi i tij zgjati deri në fillim të dimrit, kur tifozët filluan të ankohen për rezultatet dhe mënyrën e lojës së ekipit. Pas serisë negative prej katër ndeshjeve me vetëm një fitore, Zico ishte shkarkuar të martën. Përveç habisë për mënyrën e shkarkimit, Zico ishte i befasuar nga dhuna e tifozëve në kampionatin grek e sidomos në ndeshjen e tij të fundit kundër Kavalas (0-0).

“Para ndeshjes, vandalët hyrën në fushë, u kacafytën me policinë dhe njerëzit e tjerë. Kemi dëgjuar shpërthime, ndërsa ekipi qëndroi në zhveshtore për një orë, para fillimit të ndeshjes, duke u frikësuar se çka mund të ndodhë nëse dalim jashtë. Gjatë goditjeve nga këndi, shishe të plastikës dhe objekte të ndryshme ishin hedhur në fushë dhe të gjithë ishin të rrezikuar. Në fund të pjesës së parë, tifozët përsëri kishin hyrë në fushë, ndërsa mbanin ulëse të thyera. Nuk kam menduar të jetoj në një situatë të tillë”, u shpreh Zico. “Është dashur të shkoj në konferencë për shtyp me dhjetë truproje. Autobusi ynë përcillej nga dhjetëra vetura të sigurisë. Kisha ndjenjën se ishim të arratisur”.

Zico nuk është i sigurt rreth të ardhmes së tij si trajner dhe mendon të bëjë ndryshime në karrierë. “Një mik më ka thënë se duhet të pushoj për një vit dhe të qëndroj me familje. Kjo është pikërisht ajo që do të bëj”, përfundoi ai.

Para Olympiakosit, Zico kishte drejtuar CSKA Moskën, Bunyodkor, Fenerbahçen, Japoninë dhe Kashima Antlers.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›