Pensionohet nga Mali

Frederic Kanoute është pensionuar nga futbolli ndërkombëtar, pas eliminimit të Malit nga Kupa e Afrikës. Sulmuesi i Sevillas shënoi 23 gola në 38 paraqitje, prej vitit 2004, kur kishte vendosur të përfaqësojë Malin, në vend të Francës.
Mali u eliminua nga Kupa e Afrikës, të hënën edhe pse mposhti Malawin 3-1 dhe shënoi shtatë gola në total – përfshirë dy nga Kanoute.
“Nuk mund të gjej fjalë të tregoj se sa i zhgënjyer jam. Më dhemb shumë. Pas eliminimit më 2008, ne kemi dashur të arrijmë rezultat të mirë kësaj radhe”, tha Kanoute, 32-vjeçar.
“Në paraqitjen time të fundit në këtë garë kam dashur të shkoj sa më larg që mundem.
Kjo është jeta. Më vjen keq që nuk kam qenë në gjendje t’i ndihmoj ekipit tim të shkojë më larg në Kupën e Afrikës, që shënon pensionimin tim nga futbolli ndërkombëtar”, shtoi futbollisti më i mirë afrikan i vitit 2007.
Sulmuesi i lindur në Francë shënoi në rikthimin e jashtëzakonshëm të Malit në barazimin 4-4 (ishin duke humbur 4-0) në ndeshjen e parë kundër nikoqirit Angolës.
Por, ai nuk ishte titullar në humbjen 1-0 nga Algjeria në ndeshjen e dytë, ndërsa dështoi të ndikojë në rezultat pas inkuadrimit në lojë.
Ai shënoi golin e tij të dytë të garës në fitoren e Malit 3-1 ndaj Malawit – fitore e cila ishte e pakuptimtë, në bazë të rregullave të organizatorit për rezultatin e drejtpërdrejtë që i mundësonte Algjerisë, të vazhdojë garën në vend të tyre.
Kanoute është kthyer në Spanjë, të mërkurën, dhe vazhdoi stërvitjet me Sevillan, të enjten.