E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kandidohet Azizi

Ish-boksieri i famshëm kosovar, Aziz Salihu synon që të bëhet kryetar i Federatës së Boksit të Kosovës (FBOXK). Salihu tha të enjten në një konferencë për media se do të kandidojë për kryetar në Kuvendin Zgjedhor të FBOXK-së, i cili do të mbahet të shtunën në Prishtinë.

Salihu ka pohuar se e dëshiron postin e kryetarit të FBOXK-së me qëllim që ta kthejë boksin kosovar në rrugën e duhur.

“Boksi i cili një kohë ka qenë sporti numër një në Kosovë, tani është në krizë të madhe.
Unë e kam shpallur kandidaturën për kryetar të FBOXK-së, me qëllim që të çoj përpara këtë sport”, ka deklaruar Salihu.

Ai tha se ka paraqitur kërkesën e tij në FBOXK, duke mohuar atë që e thonë zyrtarët e federatës se Salihu nuk e ka paraqitur kërkesën për t’u kandiduar.

“Kërkesën e kam paraqitur në federatë dhe nuk është e vërtetë çfarë thonë ata. Qëllimi i disa njerëzve në federatë është të më pengojnë, të mos më lejojnë që të marrë pjesë sepse i frikësohen Aziz Salihut. Unë jam kandidat për kryetar, por është çështje e kuvendarëve se a më votojnë apo jo”, ka thënë Salihu.

Ndërkohë, Salihu shpalosi projektin e tij në bazë të cilit do të punojë, nëse zgjidhet kryetar.

“Nëse unë bëhem kryetar do t’i kthejë në boks të gjithë ish-yjet e boksit dhe do të punojmë së bashku për të mirën e këtij sporti. Unë do t’ua siguroi pagat të gjithë punonjësve të federatës dhe boksierëve të kombëtares së Kosovës do të iu krijojë kushte për punë dhe do t’i përgatiti edhe për Lojërat Olimpike që mbahen në vitin 2012”, premtoi ai.

Në anën tjetër, kryetari aktual i FBOXK-së, Ramadan Selimi, i cili njëkohësisht do të rikandidohet për këtë post, tha se Salihu duhet të ketë bazën deleguese të klubeve që përfaqësojnë federatën në mënyrë që të kandidohet.

“Aziz Salihut askush nuk ia ka ndaluar që të jetë kandidat për kryetar të federatës. Ai është i mirëseardhur. Salihu duhet të ketë bazën deleguese të klubeve që përfaqësojnë federatën për t’u kandiduar për kryetar të FBOXK-së. Unë këtë se kam shpikur, por kështu është e rregulluar me statut të federatës”, tha Selimi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›