E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia i shpëton falimentimit, arrihet marrëveshja pas 13 orë diskutimesh

21-02-2012 / Gazeta 55

Ministrat e Financave të Eurozonës kanë arritur marrëveshje për të ndihmuar Greqinë nga falimentimi, me një paketë në vlerë prej 130 miliardë eurosh. Pas bisedimesh që zgjaten deri në 13 orë, ministrat i kanë hapur dritën jeshile paketës së re ndihmëse për Greqinë e rrënuar nga kriza. Lajmi për arritjen e marrëveshjes e ka dhënë kreu i Eurogrupit Zhan Klod junker.
“Eurogrupi është i vetëdijshëm për përpjekjet e mëdha që kanë bërë qytetarët grekë. Theksojmë se përpjekje të tjera janë të nevojshme nga të gjithë aktorët në Greqi për ta kthyer ekonominë greke drejt një rruge të qëndrueshme.
Zyrtarët evropianë thonë se huaja do të reduktojë borxhet e Greqisë deri në vitin 2020, duke realizuar kështu një synim të caktuar nga Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Komisioneri për çështjet ekonomike Olli Rehn pas takimit është shprehur: “Në këto dy vitet e fundit dhe sërish këtë natë kuptova se “maratona” është e nevojshme të jetë një fjalë greke. Por në fund ne arritëm një marrëveshje. Është një marrëveshje shumë e rëndësishme dhe komisioni e mirëpret atë, pasi do të ndihmojë Greqinë të rimëkëmbë ekonominë e saj”. Sipas njoftimeve, marrëveshja ka për qëllim të sjellë borxhin e Greqisë në 120.5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto deri në vitin 2020. Pas pesë vjetësh në recesion, Greqia ka borxhin më të madh se 160 për qind e prodhimit të brendshëm bruto. Diplomatët në Bruksel kanë thënë se duhet punuar ende për detajet e marrëveshjes, pas një maratonë negociatash. Greqia ka nevojë të jashtëzakonshme për paketën e ndihmës për të shpëtuar nga falimentimi që do të mund të pësonte muajin e ardhshëm. Parlamenti grek ka miratuar një sërë masash shtrënguese në vlerë prej 3.2 miliardë eurosh, së bashku me reformat që synojnë rimëkëmbjen e ekonomisë, si parakusht për marrjen e ndihmës. Masat e miratuara kanë shkaktuar pakënaqësi të thella në Greqi, që kanë rezultuar edhe me protesta të dhunshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›