E Hënë, 2 Nëntor 2026

Greqia lehtësira për emigrantët në fillim të korrikut

30/04/2005  Ambasadorët e BE-së përplasen mbi ndryshimin e Kodit Zgjedhor

Greqia do të krijojë lehtësirat e duhura, që emigrantët shqiptarë, që jetojnë dhe punojnë atje, të kenë mundësi që të vijnë në vendin e tyre për të votuar. Gjatë një konference për shtyp të ambasadorëve të vendeve të BE-së, të akredituar në Tiranë, përfaqësuesi i Greqisë tha se për këtë çështje po merren masa të tilla lehtësuese. "Shefi i policisë së Greqisë erdhi në Shqipëri javës që shkoi. Ai udhëhiqte një grup njerëzish kompetentë në këtë fushë nga policia greke dhe në bashkëpunim me palën shqiptare, diskutuan të gjithë problmet dhe rëndësinë që ka për qytetarët shqiptarë pjesëmarrja e tyre në votimet e ardhshme. Në të vërtetë, do të merren masa nga të dyja palët për të lehtësuar ardhjen në Shqipëri dhe për ata që do të vijnë të kalojë Pashkët ortodokse në Shqipëri. Rruga e tyre për në Shqipëri dhe për në Greqi do të jetë pa probleme", tha ambasadori Grek Diamantis.

Përplasja

Ambasadorët e vendeve të BE-së i kanë cilësuar zgjedhjet në Shqipëri, si një pikë kyçe, ndaj është kërkuar angazhimi i të gjitha partive politike. Në këtë kontekst është përshëndetur dhe nënshkrimi i Kodit të Etikës, nën iniciativën e Presidentit të Republikës. Nga ana tjetër, ambasadori i Holandës dhe ai i Këshillit të Evropës janë shprehur kundër ndryshimeve në Kodin Elektoral. Kjo deklaratë bëhet në kohën kur PD ka kërkuar ndryshimin e formës së fletës së votimti, duke kërkuar që zgjedhësit të votojnë njëkohësisht për kandidatin dhe për partinë, duke shmangur fenomenin e "Dushkut", që është parë nga PS si formula më e mundshme për përfaqësimin me aleatët në zgjedhjet parlamentare. Në lidhje me këtë, ambasadori i Holandës, që ka dhe presidencën e radhës së BE-së, tha: "Unë nuk jam në dijeni të këtij debati, por një koment im i përgjithshëm do të ishte, që Kuvendi shqiptar do të fokusohet në zgjedhjet e ardhshme të tre korrikut dhe që politikanët duhet të fokusojnë të gjithë energjinë e tyre për të siguruar që këto zgjedhje të jenë të suksesshme". Në të njëjtën mënyrë është shprehur dhe ambasadori i Këshillit të Evropës në Tiranë, Lutz Saltzman. "Për momentin, unë nuk jam në dijeni për ndonjë qëllim që kanë parlamentarët për të ndryshuar Kodin Zgjedhor në Shqipëri. Unë jam plotësisht dakord me atë që tha ambasadori i Holandës që dy muaj para zgjedhjeve nuk është koha e përshtatshme për të bërë ndryshime në ligje për sa i përket zgjedhjeve. Kodi Elektoral ka kaluar me shumicë votash dhe kjo është baza për zgjedhjet e ardhshme. Që të gjithë duhet të fokusohen në zgjedhje në një sjellje sa më të mirë në përputhje me Kodin Zgjedhor", tha Saltzman. Pak ditë më parë ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Pavle Vacek, është shprehur kundër ripërsëritjes së fenomenit të "Dushkut". Ndaj, ai ka vlerësuar se iniciativa të tilla duhet të mënjanohen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›