Trafiku i makinave, fillon gjykimi për italianët
30/04/2005 TIRANË – Trafiku i mjeteve motorike, kryer nga dy shtetas italianë në territorin e vendit tonë, ka përfunduar në gjykatë. Grabitën në Gjermani dhe më pas gjetën Shqipërinë si vendin më të përshtatshëm për t’i shitur. Dosja penale me emrat e dy shtetasve italianë, Guiseppe Martellota dhe Massimiliani Locorotondo, ndodhet në duart e gjyqtarit Bledar Abdullai. Ndërsa procesi ende nuk është hapur, janë shtyrë dy seanca. Shkak është bërë mosparaqitja e prokurorit të çështjes, Dritan Peka. Për dy shtetasit italianë, procedimi penal ka filluar në datën 19 prill 2004. Arsyeja për fillimin e këtij procedimi është bërë sekuestrimi i një makine të markës "Volksvagen Tauareg" me numër shasie ËVGZZZ7LZ4D045660 dhe targa CK955TË. Kjo makinë pas sekuestrimit ka rezultuar se është vjedhur në Gjermani. Mjeti iu sekuestrua shtetasit shqiptar Ervin Rama. Pas verifikimeve doli, se Ramës kjo makinë i është shitur nga dy shtetasit italianë, të cilët edhe pse janë në gjykim me cilësinë e të pandehurit, ndodhen në vendin e tyre. Sipas dosjes hetimore, dy të pandehurit këtë makinë e kanë marrë me qira në Gjermani, shoqërisë me emrin "EUROCAR". Më pas nuk ia kanë kthyer. Në Itali kanë arritur të sigurojnë dokumente origjinale. Kështu është sekuestruar nga akuza një certifikatë pronësie origjinale e lëshuar nga zyra e Regjistrit Publik të automobilave në Milano, me numër 04 A015261 që mban datën 12 mars 2004. Kjo certifikatë, pasi është verifikuar me një letërporosi të dërguar në Itali, ka rezultuar se ka qenë e falsifikuar. Pra, të pandehurit të gjitha dokumentet për lëvizjen e makinës i kanë falsifikuar. Këtë veprim ata e kanë bërë me qëllim që të mund të shisnin mjetin e tyre në Shqipëri, gjë që e kanë bërë edhe herë të tjera. Mjeti i kapur në Tiranë kërkohej nga autoritetet gjermane. Në të gjitha vendet, ata kishin nisur emrat e të pandehurve. Në dosje thuhet se zyra e prokurorit në Rottëell, Gjermani, është duke filluar hetimet mbi shtetasin italian, Guiseppe Martellota. Të pandehurit kanë arritur të futen në vendin tonë nëpërmjet pikës kufitare në Kakavijë. Futja në këtë pikë për të ka qenë pa problem. Pasi kanë arritur të shesin mjetin e grabitur, të pandehurit janë larguar në vendin e tyre. Ndërsa autoritetet kanë nisur procedimin penal për akuzën e trafikut të mjeteve motorike.