Vret gruan e njerkut, pranon fajin para Krimeve të Rënda
30/04/2005 TIRANË - "Kishim patur sherre të vazhdueshme në familje. Por herë pas herë mundoheshim t'i mbyllnim. Një ditë kur u ktheva në shtëpi gjeta djalin duke qarë. E pashë që nofullën e kishte të enjtur dhe hundët me gjak. U futa në dhomë dhe i kërkova shpjegime gruas së njerkut. Ajo më priti me të shara dhe më goditi me një tavull. Nuk arrita të sqarohesha, në nxehje e sipër mora armën dhe qëllova drejt saj, duke e lënë të vdekur në vend. Dy orë pas krimit njoftova policinë". Vret gruan e njerkut, pranon akuzën, por jo me paramendim. Alfred Myrdini, 28 vjeç, i martuar, me fëmijë, nga qyteti i Fierit, pranoi dje se në 25 tetor 2003 ka vrarë me dashje gruan e njerkut, Violeta Myrdini. Nuk ka pranuar se vrasjen e ka kryer me paramendim. Madje për të është kërkuar edhe kryerja e një akti ekspertize për të përcaktuar shkallën e papërgjegjshmërisë. Avokati mbrojtës Sajmir Visha ka pranuar para Krimeve të Rënda se klienti i tij është i sëmurë psikik dhe ka qenë ky shkaku që e ka shtyrë të kryej një vrasje brenda familjes. Sipas akuzës, i pandehuri, vite më parë ka humbur babain e tij. Kështu nëna martohet me një tjetër burrë. Por nuk kaluan shumë vite dhe të pandehurit i vdes edhe nëna. Në këto kushte ishte i detyruar të rritej nën kujdesin e njerkut, i cili martohet me tjetër grua. Por i pandehuri krijon familje më vete. Kontradiktat kanë lindur brenda familjes së shkardisur. Gruaja e njerkut, sipas akuzës, shpeshherë i ka rrahur fëmijët e të pandehurit. Janë bërë disa sherre në familje. Por gjithsesi, asnjëherë nuk kanë mundur të mbulohen sherret me fjalë. Në datë 25 tetor, në orën 18.00 të mbrëmjes, i pandehuri pas një sherri të gjatë me gruan e njerkut, ka marrë armën automatike që e mbante pa leje dhe ka qëlluar disa herë drejt Violeta Myrdinit. Pas kryerjes së vrasjes, i pandehuri nuk është larguar nga vendi i ngjarjes. Para akuzës gjatë hetimeve paraprake ka pranuar faktin se e ka kryer vrasjen me dashje dhe se këtë gjë e ka bërë për shkak se gruaja e njerkut i keqtrajtonte fëmijët. Nga ana e gjykatës është pranuar kërkesa për të bërë një akt ekspertize, me qëllim që të përcaktohet qartë shkalla e sëmundjes.