E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS- minatorët, marrëveshje për zgjedhjet

Marrëveshja është firmosur sot nga kryetari i PS-së Rama dhe kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Xibri. Sindikata angazhohet t’i bëjë thirrje minatorëve dhe familjeve të tyre të votojnë PS. Socialistët angazhohen t'i mbështesin. 

TIRANE- Partia Socialiste dhe Sindikata e Minatorëve të Shqipërisë kanë nënshkruar një marrëveshje angazhimi me njëra tjetrën. Marrëveshja është firmosur sot nga kryetari i PS-së Edi Rama dhe kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri.

Sindikata e minatorëve angazhohet që t’i bëjë thirrje të gjithë minatorëve dhe familjeve të tyre të votojnë socialistët, si pjesë e koalicionit “Bashkimi për Ndryshim”, në zgjedhjet e 18 qershorit.

Nga ana e saj PS angazhohet se do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me sindikatën e minatorëve duke komunikuar dhe më vonë formuluar instrumentet për plotësimin e kërkesave të tyre.

“Për statusin e minatorit, nuk është thjesht bërja e një ligji për të rregulluar statusin, por është që ju duhet të jeni pjesë aktive për përcaktimin e prioriteteve nevoja që duhet të zgjidhë qeveria socialiste sapo të vijë në pushte. Ajo cka është më e rëndësishme është që më pas të ndiqen e të zbatohen hap pas hapi”- tha kandidatja për deputete në qarkun e Tiranës Vasilika Hysi.

Në emër të sindikatës së minatorëve, Fiqiri Xibri është shprehur se kryeministri Berisha nuk ka pasur vullnetin për të dëgjuar dhe plotësuar kriteret e minatorëve.

PS ka pranuar se është dakord në parim me kërkesën e minatorëve të përfaqësuar nga sindikata dhe sigurojnë se do të sensibilizojnë në cdo rrethanë Kuvendin e Shqipërisë mbi cështjet e minatorëve dhe do ti mbështesë ato.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›