E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manjani: Toleranca zero ndaj trafikut, një demagogji

Kryetari i komisionit të ligjeve në Partinë Socialiste, Ylli Manjani, ka thënë dje në një deklaratë se qeveria ka bërë hapa prapa në parandalimin e trafikut të qënieve njerëzore. Manjani e ka përcaktuar qeverisjen e PD-së si një qeverisje të paaftë e të korruptur, e cila ka lejuar që të lulëzojë krimi i organizuar. “Shqetësimi ynë më i madh është se viktima të paaftësisë së kësaj qeverisjeje janë fëmijët dhe vajzat që vazhdojnë të trafikohen dhe nuk gjejnë mbështetje nga shteti. Partia Socialiste ka shprehur gjithmonë shqetësimin e saj për shtimin e rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore në Shqipëri dhe të gjitha këto janë përgënjeshtruar prej deklaratave boshe, të bëra prej një ministri të paaftë”, - tha Manjani. Kryetari i komisionit të ligjeve sulmoi ashpër edhe eficencën e instiucioneve të shtetit shqiptar. Me tone të ashpra, Manjani është shprehur edhe për Kryeministrin Berisha, pasi e quan atë si shkaktarin e kthimit të makthit për trafikimin e padrejtë të vajzave dhe të fëmijve të tyre si skllevër në tregjet evropiane. “Kryeministri duhet të kursejë gënjeshtrat që i përhap në media dhe të marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë si kryetar i qeverisë, të luftojë trafikantët dhe të garantojë paprekshmërinë e jetës dhe të dinjitetit të qytetarëve të vendit të tij”, - deklaroi Manjani. “Qeverisja po dështon, - vazhdoi ai - pasi nuk po zbaton asnjë pikë të programit aq të përfolur elektoral e jo më të garantojë standardet ndërkombëtare për të luftuar trafikun e qënieve njerëzore”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›