Rama rinis “Dialogun me Shqipërinë”, qershori muaji i fshatit
Kryetari i Partisë Socialiste rinisi turin “Dialog me Shqipërinë”. Pasi u ndal për një javë rresht me punët e bashkisë, Rama është rikthyer në pozicionin e kryetarit të Partisë Socialiste, duke bërë që muajin qershor t’ua kushtojë tërësisht problemeve të fshatit. Në takimin e parë ai është ndalur në Pukë dhe në fshatin Qelëz. Por pavarësisht problemeve të fshatit, Rama i është rikthyer sërish shpjegimeve të tij për politikën e re të PS-së dhe angazhimit që duhet të kenë qytetarët te ajo. “Të merresh me politikë nuk do të thotë të bësh karrierë politike, nuk do të thotë të futesh në organizata partie, sepse besoj që në këtë mënyrë ne vazhdojmë të bëjmë një gabim që është bërë historikisht, që fatin tonë, t’ua delegojmë të tjerëve, fatin tonë ua lëmë disa njerëzve apo një njeriu të vetëm, fatin tonë e trajtojmë si një gjë që s’ka të bëjë me ne, por me detyrat e dikujt tjetër dhe pastaj kur me fatin tonë dikush apo disa luajnë, apo kur fati ynë nuk është ai që ne meritojmë apo dëshirojmë të jetë, ngremë supet dhe ia lëmë fajin politikës”, - u shpreh kryetari i PS-së.