E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimet në bregdet, Pango: Penalizimi, në 100 % të vlerës

Investitorët në zonat turistike, të cilët i janë shmangur kontratës së investimit, do t’u duhet të bëjnë gati paratë për kthimin në shtet të vlerës së investimit. Nuk bëhet fjalë për pak ndërtime, por për qindra të tilla. Kuvendi diskutoi dje ndryshimet në ligjin e turizmit, të cilat parashikojnë disa sanksione mbi investimet në zonat turistike të cilat i janë shmangur ligjit. Sipas ndryshimeve ligjore, është parashikuar se të gjitha ndërtimet që kanë pasur kontratë për zhvillim dhe investime turistike dhe të cilat nuk e kanë zbatuar atë, do të penalizohen me 100 për qind të vlerës së investimit. Ky penalizim pritet të kapë rreth 100 ndërtime të mëdha që nuk kanë zbatuar kontratën fillestare. Ministri i Turizmit, Ylli Pango, foli më tej për gazetën “Standard” ku shpjegoi me detaje mënyrën e funksionimit të këtyre ndryshimeve ligjore. Pango thotë se me ndryshimet ligjore do të ketë një rregullim të mënyrës së të bërit turizëm në Shqipëri. Sipas tij, ky model është marrë nga vendet si Italia dhe Turqia, të cilat kanë zbatuar të njëjtat sanksione. Ndryshimet e propozuara nga qeveria kërkojnë të ndalojnë atë që është bërë në Golem, sipas skemës “ndërto dhe shit”. Debati në Kuvend u zgjerua më tej pasi deputetët e opozitës kundërshtuan hapur këto ndryshime. Deputetët e opozitës kërkuan shpjegime se si do të veprojë ligji, si do të aplikohen penalizimet etj. “Ne kërkojmë që këto ndryshime të mos përdoren nga interesa të caktuara”, - tha deputeti opozitar Engjëll Bejtaj, por që për ministrin Pango, ndryshimet do t’u mbyllin derën këtyre abuzimeve. Ligji nuk arriti të kalonte provën në Kuvend, pasi nuk ishte kuorumi i mjaftueshëm për ta votuar.

Zoti ministër, a do të ketë fuqi prapavepruese ligji, pra a do të penalizohen ndërtimet e paligjshme në bregdet?

Këtu duhet të shpjegojmë diçka. Një ndërtim i bërë para tre viteve p.sh. u përgjigjet ligjeve të miratuara në atë vit ose që është miratuar më parë. Por në ndryshimet e ligjit për turizmin ka diçka tjetër specifike. Të gjitha investimet që janë bërë në bregdet janë bërë sipas një kontrate të qartë e cila lejon përdorimin e tokës për 99 vite. Në këtë pikë investitori kishte detyrime, si investime në atë zonë, dhe ruajtja e destinacionit të pronës, e cila do të ishte vetëm turimi. Por shumë prej tyre, ndërtuan sipas qejfit, i shitën, i keqpërdoren etj. dhe këta ligji i penalizon, sepse e kanë të shënuar në kontratë. Toka nuk ishte e tyre, por shteti ua dha në formën koncensionare për 99 vite dhe ata e keqpërdoren, megjithëse përsëri nga shteti patën lehtësi fiskale dhe shumë lehtësi të tjera. Për këta penalizimi do të jetë i barabartë me vlerën e investimit. Kjo praktikë është ndjekur edhe në vendet si Italia apo Turqia.

A keni bërë verifikim se sa ndërtime kanë shkelur këto kontrata?

Nga verifikimet paraprake, në bregdet janë dhënë lejë për rreth mbi 100 ndërtime të mëdha dhe më lejoni t’ju them me siguri se vetëm pak prej tyre, mund të them 2 ose 3, kanë respektuar kontratën. Ata kanë marrë leje për fshat turistik dhe kanë bërë pallate, të cilat i kanë shitur.

Po në këto ndërtime jetojnë njerëz të cilët kanë shpenzuar para për to. Si do të veprohet me blerësit e tyre?

Aty ku investitori ka shkelur ligjin, pala e tretë nuk ka faj. Pala e tretë i ka shpenzuar paratë dhe jeton aty. Investitori, në rast se i ka shitur apartamentet, me një shifër 40 ose 50 mijë euro, kostoja e ndërtimit ka qenë 10 mijë euro dhe ai i ka nxjerrë paratë. Investitori do të paguajë një më një, 100 për qind të vlerës së investimit. Ka ardhur momenti që ne të ndalojmë, sepse ndryshe nuk do të mbetet gjë në bregdet. Ne kemi në plan që atyre, palës së tretë, t’u shesim edhe tokën.

Keni folur për ngritjen edhe të një njësie të veçantë kontrolli për ndërtimet në bregdet. Si do të veprohet me këtë njësi?

Ky është një premtim i Kryeministrit Berisha, i cili i kërkoi ministrit Olldashi që të merret me krijimin e saj. Kjo njësi do të kontrollojë të gjitha ndërtimet, pra sa i kanë përmbushur detyrimet këto ndërtime.

Ndryshimet, do të ripërcaktohen zonat turistike

Sipas projektligjit, qeveria së shpejti do të miratojë edhe zonat turistike, çka do të përcaktojë edhe vendet ku prona nuk mund të shitet për qëllime nga më të ndryshmet. Miratimi i zonave turistike detyron pushtetin lokal që në fushën e ndërtimit të mos japë leje për qëllime të tjera, përveç asaj të qëllimeve turistike, duke marrë edhe miratimin e pushtetit qendror, ministrisë në këtë rast. Sipas ministrisë, ky projektligj nuk ka efekte financiare. Në ligjin ekzistues përcaktimi i sipërmarrjes turistike është më i ngushtë, duke përcaktuar shprehimisht se si të tilla veprimtaritë e agjencive të udhëtimit, operatorit turistik në terren, transportit të turistëve, prodhimit ose shitjeve me pakicë të suvenirëve apo punimeve artizanale, pikat e tërheqjes së vizitorëve, portet ujore etj. dhe më pas tek nenet e tjera vazhdohet me konceptin e sipërmarrjes turistike, duke përfshirë edhe veprimtari të tjera. Projektligji i ri përcakton ndryshe njësitë akomoduese, si dhe rolin e tyre. Sipas projektligjit, njësi akomoduese përcaktohet se struktura në pronësi apo përdorim të personave fizikë apo juridikë, të cilët vënë në dispozicion të klientëve, vendas dhe të huaj, individë apo të organizuar në grupe, shërbimet e fjetjes, të ushqimit, pijes, si dhe lehtësitë e duhura në objekte komode, kushte të mira pritjeje nga një staf i kualifikuar, për një kohë qëndrimi të përcaktuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›