E Shtunë, 31 Tetor 2026

KKRT-ja, fushatë për dixhitalizimin e televizioneve



KKRT-ja dhe OSBE-ja mblodhën dje propozimet për dixhitalizimin e transmetimeve radiotelevizive në Shqipëri nga rreth 30 media elektronike, që operojnë në zonat veriore të vendit. Këtij qëllimi i shërbeu konferenca e dytë “Shqipëria dixhitale – sfida e së ardhmes”, që u organizua në qytetin e Shkodrës. “Vjelja” e ideve dhe mendimeve nga vetë biznesmenët e medias elektronike, për mënyrën e dixhitalizimit të transmetimeve të sotme tokësore, brenda vitit 2012, siç synojnë të gjitha vendet evropiane, është një proces këshillimi publik më se serioz që ka filluar që nga muaji prill i këtij viti nga KKRT-ja dhe mbështetur nga OSBE-ja. Kryetarja e KKRT-së, znj. Mesila Doda, duke vlerësuar mjaft pjesëmarrjen dhe angazhimin e operatorëve të zonës së veriut në këtë proces të ri, iu drejtua atyre me fjalët: “Këto kontribute do të jenë pjesë e një strategjie kombëtare, të plotë dhe gjithëpërfshirëse, e cila parashikohet të jetë efektive dhe të nisë nga zbatimi brenda muajit tetor 2008, duke përfshirë dhe eksperiencat e vendeve që janë përpara në këtë proces, edhe standardet dhe praktikat më të mira evropiane në këtë fushë”. Dhe, nisur nga pjesëmarrja specifike në konferencë, znj. Doda nënvizoi idenë se “duke shfrytëzuar avantazhet që ofron kjo teknologji, operatorët e zonës, në marrëveshje dhe mirëkuptim me njëri-tjetrin, mund të bëjnë të mundur mbështetjen e të gjitha programeve ekzistuese analoge në platformën numerike lokale të Shkodrës, Dibrës apo Lezhës. Kjo jo vetëm do të lejojë zgjerimin e mbulimit e rrjedhimisht, audiencës së secilit nga operatorët aktualë, por do të përmirësojë rrënjësisht cilësinë dhe sigurinë e transmetimeve”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›