Mjeku i plagosur del nga gjendja e rrezikut
TIRANE - “Aktet e dhunës ndaj mjekëve vijnë si pasojë e mosbesimit që kanë qytetarët te sistemi shëndetësor”. Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Dine Abazaj, reagoi dje publikisht lidhur me plagosjen e mjekut Agron Ylli, katër ditë më parë në Tiranë. “Të ushtrohet dhunë ndaj mjekut është diçka e padëshirueshme. Shëndetësia jonë ka mjaft probleme, pasi ka mangësi në medikamente, në aparatura dhe këtu qytetarët humbasin besimin, ndaj këtë zemërim ata nuk kanë ku e shprehin dhe e nxjerrin tek mjeku me të cilin përballen”, tha Abazaj në deklaratën e tij. Ndërkohë nga burime të Spitalit Ushtarak është mësuar se gjendja shëndetësore e mjekut endokrinolog Agron Ylli, i plagosur tri ditë më parë është jashtë rrezikut për jetën. Mjeku i njohur mësohet se ka hyrë tashmë në fazën e rehabilitimit. Sipas mjekëve të Spitalit Ushtarak, gjendja e Agron Yllit ishte e rëndë në momentin e mbërritjes në urgjencë dhe nëse ndërhyrja nuk do të ishte e shpejtë, atëherë mjeku mund të kishte humbur jetën për shkak të sasisë së lartë të gjakut që kishte humbur. Ditën e djeshme, pas reagimeve të shumta nga politika, nga mjekët dhe nga Ministria e Shëndetësisë, Presidenti i Urdhrit të Mjekut ka bërë thirrje që mjekët të mos demoralizohen nga ngjarje të tilla dhe të vazhdojnë misionin e tyre, duke mos i lënë shkas qytetarëve të ndërmarrin veprime të tilla. “Por edhe qytetarët duhet të kenë besim tek mjekët dhe të përmirësojnë marrëdhëniet, pasi nuk janë ata shkaktarë të mangësive në sistemin shëndetësor”, vijoi më tej kreu i Urdhrit të Mjekut. Mjeku Agron Ylli po punonte në klinikën e tij në zonën e “Shallvareve” në Tiranë tri ditë më parë, kur Bujar Valisi nga Kashari mbërriti aty dhe i përsëriti kërkesën që të firmoste kempin për bashkëshorten e tij të sëmurë. Mjeku mësohet se ka refuzuar të firmosë raportin për pacienten, për shkak se kempi nuk i ishte dhënë asaj nga komisioni i posaçëm mjekësor. Refuzimi i mjekut ka sjellë reagimin e ashpër të bashkëshortit të pacientes, i cili ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar në drejtim të mjekut, duke e plagosur atë në bark dhe në dorë.