Vrasja për pronën në Sauk, policia masa për parandalimin e hakmarrjes
TIRANE - Një ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Sauk të komunës së Farkës për motive pronësie, policia e Tiranës ka marrë masat për parandalimin e një hakmarrjeje tëa mundshme mes palëve në konflikt. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Panorama” nga burime të policisë së kryeqytetit. Këta të fundit kanë pohuar se për të mos ndodhur ndonjë situatë e paparashikuar në familjen e Kujtim Bakallit, kanë vendosur shërbime të përforcuara në zonë. Lirimi nga qelitë i djalit tij, Endritit 18-vjeçar, po ashtu është bërë shkak për masat e sigurisë nga policia. Djali i të akuzuarit për vrasjen e Xhevdet Qefaliajt u la i lirë, pasi ishte provuar nga hetuesit se ai nuk kishte pasur gisht në krimin që rezulton të jetë kryer nga babai i tij. Në afërsi të banesës së familjes Bakalli, policia e Komisariatit nr.1 ka lënë të pozicionuar një furgon të grupeve të gatshme. Po kështu një patrullë e këtij komisariati ka mbajtur nën vëzhgim zonën, duke angazhuar në total rreth 7 punonjës policie për të shmangur ndonjë të papritur të mundshme. Ndërkaq inspektorët e policisë së rendit të zonës kanë mbajtur kontakte me familjet, duke kërkuar prej tyre që të tregohen të kujdesshëm. Për këtë shkak policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë ndaj djalit të Kujtim Bakallit, me akuzën e mbajtjes pa leje të armëve dhe mjeteve të mprehta, pasi atij iu gjet një thikë. Gjatë ndërhyrjes së forcave të policisë, në vendin e ngjarjes pas vrasjes së ndodhur të dielën u gjet një thikë, që është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Dje është kryer edhe ceremonia e varrimit të 29-vjeçarit të vrarë, Xhevdet Qefalia. Të afërmit, miqtë dhe pjesëtarët e familjes së tij kanë përcjellë të riun në banesën e fundit. Autori i krimit, 45-vjeçari Kujtim Bakalli, ka vazhduar të qëndrojë në Spitalin Ushtarak, ku sipas policisë ndodhet që prej të dielës kur u sulmua nga të afërmit e Xhevdet Qefalisë, pasi kishte qëlluar me armë duke e vrarë kundërshtarin në konfliktin e pronësisë për një sipërfaqe toke rreth 2 mijë metra katrorë. Për këtë ngjarje, zyra e hetimit të vrasjeve në kryeqytet ka mbledhur së paku 12 dëshmi të personave të ndryshëm okularë. d.b