E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tronditet KESH, 8 fletë-arreste

 

ELBASAN/ ALDO KOZARJA

Tronditet KESH-i i Elbasanit. Tetë fletë-arreste u firmosën nga prokuroria e gjykata për 3 ish-drejtorë dhe 5 nëpunës të Drejtorisë Elektrike të rrethit. Operacioni i koduar “Indikatori” u zhvillua dje, pas hetimeve të kryera mbi abuzimet në tenderat e KESH-it. Megjithëse aksioni i Policisë së Elbasanit u zhvillua në të njëjtën kohë, asnjë nga ish-krerët e elektrikut nuk u gjet në banesë, duke hedhur dyshimet për dekonspirim të tij.
Menjëherë u shpallën në kërkim Nikolla Tuke, Ndriçim Banja dhe Artan Topi, ndërsa iu komunikua arresti 5 nëpunësve. Të gjithë këta persona kanë pasur dijeni për veprimet e kryera në KESH ose kanë qenë anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave gjatë tenderimeve të ndryshme. Policia arrestoi në flagrancë Shpëtim Lamçen, anëtar i komisionit të tenderave ndërsa la në arrest shtëpie, sipas vendimit të gjykatës, Ilmi Dervishhasanin, kryeinxhinier në KESH, Qamil Meminin, anëtar i komisionit të disa tenderave që janë zhvilluar pranë KESH, Natasha Gjorgën, sekretare si dhe Eduart Grunjën, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. Këta persona, sipas burimeve zyrtare nga Policia e Elbasanit kishin më shumë se 9 muaj që ishin nën hetim për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “abuzimit me tenderat” gjatë viteve 2004, 2005 dhe 2006. “Dëmi i shkaktuar shtetit shqiptar gjatë kësaj periudhe llogaritet në mbi 3 milionë euro”, pohuan dje burime pranë Drejtorisë së Policisë në Elbasan. Aktualisht sektori i krimit ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë së Elbasanit, në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit po punojnë për zbardhjen e plotë të abuzimeve, të cilat rezultojnë të jenë kryer në mënyrë të pandërprerë nga ana e drejtuesve dhe nëpunësve të tyre. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkeljet e para në këtë drejtori, duke ia dërguar më pas raportin për hetim Prokurorisë së Elbasanit. Dosja u regjistrua në organin e akuzës në vitin 2007, prej nga u verifikuan dhe abuzimet që sollën lëshimin e fletëve të arrestit. Nga burimet e policisë mësohet se janë afërsisht 50 tendera, vlera minimale e të cilëve ka qenë 5 milionë euro, tek të cilët është abuzuar. Bëhet fjalë për tenderat mbi investimet në përmirësimin e rrjetit të energjisë elektrike në të gjithë qarkun. Veç tetë personave po hetohen dhe të tjerë, që ndonëse nuk janë punonjës të ndërmarrjes elektrike kanë bashkëvepruar me zyrtarët për të përvetësuar shumat e parave.

Në hetim

NE KERKIM
Nikolla Tuke, ish-drejtor i KESH-it në vitet 2004, 2005 dhe 2006
Ndriçim Banja, ish-drejtor i KESH-it për disa muaj në 2005-ën
Artan Topi, ish-drejtor i KESH-it deri më 3 dhjetor 2008
ARREST SHTEPIE
Ilmi Dervishhasani, 44 vjeç, kryeinxhinier pranë OSSH-së
Qamil Memini, punonjës i OSSH-së dhe Komisionin e Tenderave
Natasha Gjorga, 51 vjeçe, sekretare e OSSH-së
Eduart Grunja, anëtar i komisionit të vlerësimit të ofertave
I ARRESTUAR
Shpëtim Lamçja, anëtar në Komisionin
e Tenderave

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›