“Turqia, shteti që forcon lidhjen mes Shqipërisë dhe Amerikës”
Pjesë e Delegacionit të presidentit turk, Abdulla Gyl, që vizitoi dje Shqipërinë, ishte dhe juristja Edlira Llukaçaj, roli i së cilës është vendosja e kontakteve juridike midis biznesmenëve shqiptarë dhe atyre turq. Zonja Llukaçaj është shqiptare me origjinë shkodrane, e cila ka përfunduar studimet e larta në Stamboll dhe aktualisht punon në një ndër kompanitë më prestigjioze në fushën e jurisprudencës. Llukaçaj pranoi dje të shpjegojë për gazetën “Albania” arsyet e vizitës së presidentit Gyl në Shqipëri dhe aspektet pozitive të saj. Sipas avokates Llukaçaj, shteti turk gjithmonë ka ndikuar si një urë lidhëse të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Amerikës. Po kështu, kjo vizitë e presidentit Gyl do të ndikojë pozitivisht në rritjen e nivelit të shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve.
Zonja Edlira, ju jeni pjesë e Delegacionit të Presidentit të Turqisë Gyl në Shqipëri. Mund të na thoni se cili është qëllimi i kësaj vizite të presidentit turk në Shqipëri?
Qëllimi kryesor i vizitës së presidentit Gyl në Shqipëri është përqendrimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Turqisë, sidomos marrëdhënieve në fushën e biznesit. Kjo pasi marrëdhëniet politike midis dy vendeve janë shumë të mira, aq më tepër në përkrahjen e konsiderueshme që Turqia i ka dhënë integrimit të Shqipërisë në NATO, si dhe në rolin dashamirës që luan gjithmonë Turqia në këtë vijën, mund ta quaj, Shqipëri-Turqi-Amerikë. Duhet të kemi parasysh se Turqia është një ndër dashamirësit tanë kryesorë në këtë rrugë, duke na dhënë gjithmonë atë mesazhin që “ne jemi me ju”. Turqia gjithmonë e ka konsideruar dhe vazhdon ta konsiderojë veten si “vëllai i madh” i Shqipërisë dhe për mendimin tim, në momentin aktual, asnjëherë marrëdhëniet Shqipëri-Turqi nuk kanë qenë më mirë sesa tani, qoftë në fushën e biznesit, qoftë në fushën politike.
Cilat janë projektet më strategjike të Turqisë në Shqipëri dhe fushat më prioritet për bashkëpunim mes të dy vendeve?
Projektet më strategjike të Turqisë në Shqipëri janë ato projekte që Turqia po ndjek në disa vende në zhvillim e sipër. D.m.th., Turqia ka të njëjtat projekte me vendet e zhvilluara të BE-së dhe me vendet në zhvillim e sipër. Turqia po kërkon të ngrejë një sistem edukimi dhe një numër shkollash të afirmuara, të cilat arrijnë të kualifikojnë një pjesë të studentëve me rezultate të shkëlqyera, të cilët më pas bëhen kuadro apo urë lidhëse dypalëshe midis Turqisë dhe këtyre shteteve. Në bazë të kësaj, edhe në Shqipëri, presidenti turk do të marrë pjesë në përurimin e Universitetit “Epoka”, që është një tregues i mëtejshëm i kësaj lidhjeje. Universiteti “Epoka” do të jetë një ndër universitetet më të rëndësishme në rajon. Pra Turqia, në këtë mënyrë, arrin të zhvillojë biznesin, por edhe të konsolidojë marrëdhënien e saj me vendet e rajonit të Ballkanit.
Cili është roli juaj në këtë delegacion?
Pjesa dërrmuese e pjesëmarrësve në Delegacion janë biznesmenë, të cilët kërkojnë të krijojnë lidhje me Shqipërinë, kërkojnë të vendosin kontakte apo edhe të përforcojnë kontaktet e mëparshme. Tani duhet theksuar se nuk është më koha kur biznesi Turqi-Shqipëri është me valixhe; përkundrazi, kjo fushë ka pësuar një zhvillim rrënjësor. Ne kemi rritur mjaft nivelin e biznesit midis dy vendeve dhe kjo rritje e shkëmbimeve bën të domosdoshme edhe praninë e anës juridike. Unë jam avokate, jam diplomuar në Stamboll, licencuar në Tiranë dhe e ushtroj profesionin edhe në Turqi. Mua më bëhet qejfi që marrëdhëniet midis dy vendeve janë aq të forta dhe të konsoliduara midis dy palëve, sa që unë jam pjesë edhe e delegacionit turk, por edhe i pjesës shqiptare, pasi puna ime është pikërisht ndërlidhja e të dy palëve. Pra niveli i marrëdhënieve në fushën e biznesit është shumë i lartë, ato sjellin zhvillim, teknologji të re, si dhe marrëdhënie të reja juridike.
Cili është mesazhi i kësaj vizite të presidentit turk në Shqipëri, në një moment kur Shqipëria tani është pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut?
Vetë ardhja e presidentit Gyl me një delegacion ku pjesë të të cilit janë biznesmenët më në emër të Turqisë, është një mesazh më vete ndaj popullit shqiptar dhe një mesazh që shpreh më së miri dashamirësinë e Turqisë, qeverisë turke, e tërë shtetit turk ndaj Shqipërisë. Unë mendoj se presidenti do ta shprehë edhe me fjalë konkrete atë që unë ndiej që është mesazhi i kësaj vizite. Mendoj se do të jetë një vazhdim i mëtejshëm i këtyre marrëdhënieve miqësore ndaj dy vendeve.
Do të them diçka. Në Turqi është një gjë shumë interesante, kur thua “jam shqiptare” nuk të konsiderojnë të huaj. Kjo mendoj se do të mbetet kështu, ose do të përforcohet më tej. Besoj se ky është mesazhi i vizitës. Kjo vizitë nuk mbaron vetëm këtu. Nesër do të shkojmë në Malin e Zi, aty do të bëjmë inaugurimin e disa investimeve turke që tregon që nuk është diçka e kufizuar. Sigurisht, Shqipëria është primare, por Turqia kërkon të ketë ndikim në tërë rajonin.
Meqenëse kryesisht kjo vizitë ka si kryefjalë marrëdhëniet ekonomike, si ka ndikuar kriza ekonomike në Turqi dhe çfarë ndryshimi sjell ky bashkëpunim dypalësh?
Si Shqipëria, ashtu dhe Turqia, janë dy vende që nga kriza ekonomike botërore janë prekur në mënyrë tangjente. Shqipëria, dihet, për vetë problemet e saj ekonomike. Ndërsa Turqia, për shkak se i ka bizneset e saj të konsoliduara në vendet në zhvillim e sipër dhe jo në vendet shumë të zhvilluara, të cilat u prekën shumë nga kriza dhe patën tronditje të bizneseve. Sigurisht që kjo vizitë ka dhe anën e saj të mirë në këtë pikëpamje. Besoj se do të ketë lëvizje dhe zhvillim për shkak të vënies në jetë të projekteve të reja, të ndoshta hapjes së bizneseve të reja për shkak të kontakteve të reja dypalëshe.
Bisedoi: Eljona Ballhysa
11 Dhjetor 2009