E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi-Gyl: Rajoni, dialog politik dhe ekonomik për proceset integruese



Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, priti dje në një takim të veçantë homologun e tij, Presidentin e Turqisë, Abdulla Gyl. Dy presidentët, gjatë fjalës së tyre vlerësuan lart marrëdhëniet historike miqësore që lidhin dy vendet tona. Kreu i shtetit shqiptar, Topi, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, kërkoi thellimin e bashkëpunimit rajonal si në fushën politike, ashtu dhe në fushën ekonomike, në mënyrë që të ecet përpara drejt proceseve integruese. Topi gjithashtu falënderoi rolin e Turqisë në drejtim të mbështetjes së anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Në këtë kuadër, Presidenti i Turqisë, Gyl, vlerësoi kontributin e Shqipërisë me forcat e armatosura në misione paqeruajtëse në vendet të ndryshme ku operon Aleanca e Atlantikut të Veriut. Të dy presidentët theksuan thellimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve tona.
Gyl
Gjatë fjalës së tij, presidenti Gyl theksoi se Turqia gjithmonë e shikon Shqipërinë si një partnere të fuqishme në rajon dhe kështu do ta shikojë dhe në të ardhmen. “Ne e mbështetëm fuqishëm anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe ndjemë kënaqësinë e veçantë kur ajo u bë anëtare. Gjithashtu, ne mbështesim fuqishëm edhe hapat e rëndësishëm që ka hedhur Shqipëria në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian. Vendimi i 6 nëntorit është një vendim tepër i rëndësishëm për Shqipërinë. Ju urojmë për një anëtarësim sa më të shpejtë”, - është shprehur Gyl, ndërsa vlerësoi vendimin e qeverisë shqiptare për të shtuar forcat e armatosura në Afganistan. “Diskutuam për qëndrimin tonë të përbashkët, qoftë në kuadrin e NATO-s, qoftë dhe në Afganistan dhe për çështje të tjera të politikës globale, dhe për të gjitha këto çështje ne ndamë të njëjtat mendime. Ashtu sikundër Shqipëria do të rrisë numrin e ushtarëve të saj në Afganistan, kohët e fundit edhe Turqia, përafërsisht nga 700 ushtarë, do ta rrisë numrin e tyre në 1700 ushtarë në Afganistan. Ne këtë e quajmë si një kontribut për forcimin e paqes botërore. Ne jemi të kënaqur për bashkëpunimin që kemi me Shqipërinë edhe në Afganistan”, - është shprehur Gyl, ndërsa theksoi të rëndësishme marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve. “Gjithashtu, i kushtuam rëndësi edhe fuqizimit të marrëdhënieve ekonomike. Fakti që një numër i madh biznesmenësh më shoqërojnë mua këtu tregon dëshirën e tyre për investime të mëtejshme në Shqipëri. Trajtuam edhe çështje të rajonit të Ballkanit dhe për këto çështje ne ndamë të njëjtin mendim. Ne, duke bashkëpunuar më mirë me njëri-tjetrin, na sigurohet mundësia dhe perspektiva për këtë bashkëpunim që të vazhdojë akoma më shumë në të ardhmen”, - është shprehur kreu i shtetit turk.
Topi
Presidenti Topi e cilësoi vizitën e homologut të tij turk në Shqipëri si tregues i marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis dy vendeve tona. “Kemi diskutuar për shumë elemente që lidhen me marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Kjo klimë e shkëlqyer e marrëdhënieve politike patjetër që ka shoqëruar në vite dhe rritjen e shkëmbimeve të karakterit ekonomik, të marrëdhënieve ndërinstitucionale, rritjes së investimeve të Turqisë në Shqipëri, me një kooperim shumë të rëndësishëm në fushën e arsimit dhe të shkencës, në një marrëdhënie vëllazërore dhe luajale edhe në fushën e ushtrisë. I shpreha presidentit Gyl gatishmërinë e Shqipërisë që të rrisë kontingjentin e trupave në Afganistan, sikurse është paralajmëruar. Gjithashtu kemi diskutuar për çështjet e rajonit. Kam evidentuar faktin që realiteti i ri në Kosovë është një realitet, i cili ka ofruar shumë stabilitet në rajon. Kam vlerësuar rolin e Turqisë në mbështetje të procesit të paqes dhe të stabilitetit rajonal. Është në interes të të gjitha vendeve të rajonit që t’i nënshtrohen një procesi komunikimi, një dialogu politik dhe një shkëmbimi ekonomik edhe në funksion të integrimit të tyre, të të gjitha vendeve të Ballkanit, në NATO dhe në Bashkimin Europian”, - është shprehur Topi.

11 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›