E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: “Lufta kundër krimit jo vetëm brenda kufijve të secilit vend”



Tiranë – Kryeprokurorja shqiptare, Ina Rama, tha dje se lufta kundër krimit të mos kornizohet brenda kufijve të secilit vend. Deklarata e kreut të organit të akuzës u bë në takimin e radhës të prokurorëve të Europës Juglindore SEEPAG (South East European Prosecutor Advisory Group). Në qendër të këtij takimi, që do të vazhdojë edhe nesër, është trafikimi i qenieve njerëzore dhe lufta ndaj trafikantëve të emigrantëve ilegalë. Në fjalën e saj zonja Rama theksoi se një ndër prioritetet kryesore të punës së organit që drejton është nxitja e bashkëpunimit mes prokurorive të vendeve të rajonit si përgjigje ndaj sfidave të përbashkëta në luftë kundër krimit të organizuar ndërkufitar. “Sukseset apo dështimet e një vendi në luftën kundër krimit të organizuar nuk mund të jenë të shkëputura nga sukseset apo dështimet e vendeve përreth tij. Në kontekstin e ri ndërkombëtar të krijuar pas viteve ‘90 askush nuk mund ta pretendojë suksesin duke luftuar krimin e organizuar brenda kufijve të vendit të tij”, – theksoi prokurorja e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë, Ina Rama. Ajo vlerësoi përpjekjet e SEEPAG-ut për të ndërtuar dhe forcuar një marrëdhënie bashkëpunimi të sinqertë dhe të orientuar nga një qëllim i vetëm, luftën kundër krimit të organizuar ndërkufitar. Shqipëria është momentalisht presidente e radhës e SEEPAG-ut. Takimi i tanishëm pason atë të 26-27 qershorit 2008, të zhvilluar në Durrës.

21 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›