E Diel, 1 Nëntor 2026

Greqia nuk mund të presë dhurata nga Europa

Pas Dubait, mos do të rrëzohet Greqia? Kjo pyetje teknikisht është gabim, për shkak se Dubai World nuk është një shtet, por një kompani nën pronësinë e një shteti. Vetëm se shumë investitorëve thjesht nuk u intereson dallimi. Pas rënies së Dubai World nën peshën e borxheve të veta, investitorët filluan të rimendojnë për rrezikun e falimentit të shteteve. Po Greqia? Që në fillim të këtij viti filloi të flitej si pasojë e rrezikut të falimentit të Greqisë, kur interesat e bondeve të vendeve të ndryshme të Europës filluan të zgjerohen me shpejtësi. Në shkurt, Peer Steinbrück, ish-ministri gjerman i Financave, u dha fund papritur spekulimeve, duke thënë thjesht se eurozona do të veprojë në rast se ndonjë prej anëtarëve në vend do të zhytej në vështirësi. Nuk kishte ndonjë plan konkret pas këtyre fjalëve. Nuk u bë asgjë për të amenduar traktatet e BE-së. Nuk kishte rishikim të buxhetit. Qe thjesht një fjali. Megjithatë investitorët e besuan, së paku përkohësisht.

Tani spekulimi është rikthyer, por kësaj here ka një dallim. Eurozona nuk do të vijë për ta shpëtuar, me vepra apo me fjalë, për sa kohë Greqia nuk plotëson disa kushte që Bashkimi Europian do t‘i vendosë në muajt e ardhshëm. Autoritetet e BE-së duket se kanë më shumë frikë nga pasojat morale të një shpëtimi nga falimenti, se sa nga efektet që mund të ketë falimenti në vendet e tjera të eurozonës. Nëse do t‘u duhet të zgjedhin mes ndershmërisë së paktit të stabilitetit dhe ndershmërisë së Greqisë, duket se e kanë mendjen të zgjedhin të parën. Për ta garantuar atë që ka mbetur nga pakti i stabilitetit (angazhimi i vendeve të BE-së për të mbajtur deficit buxhetor jo më të lartë se 3 për qind të PBB-së dhe stok të borxhit publik jo më të lartë se 60 për qind të PBB-së), Brukseli duket i vendosur të kushtëzojë çfarëdolloj ndihme. BE ka frikë se shpëtimi i Greqisë pa kushte nga falimenti mund të eliminojë të gjithë mekanizmat e kontrollit të buxheteve të eurozonës, gjë që është edhe themeli i euros. Asnjë vend deri më sot nuk e ka shkelur kaq shumë paktin e stabilitetit sa Greqia.

Ja ku janë shifrat. Këtë vit, deficiti buxhetor do të rritet nga 12.7 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, dhe kaq është duke supozuar që nuk ka hile në llogaritje, siç ka ndodhur edhe më parë.

"Deutsche Bank" llogarit se stoku i borxhit publik të Greqisë është ngjitur në 135 për qind të PBB-së. Borxhi i përgjithshëm i jashtëm, pra detyrimet e sektorit publik dhe atij privat ndaj të huajve, është 149.2 për qind. Kursi real i këmbimit është rritur me 17 për qind që nga viti 2006, gjë që do të thotë se Greqia po humbet aftësitë e veta konkurruese me një ritëm të pabesueshëm. Nëse Greqia nuk do të ishte në eurozonë, ajo do të kishte falimentuar sakaq. Qeveria greke ka premtuar të ulë deficitin buxhetor në 9.1 për qind të PBB-së vitin e ardhshëm. Por kjo shifër është mashtruese. Premtimi është që reduktimi i deficitit të bazohet më së shumti te lufta kundër evazionit fiskal. Komisioni Europian dhe ministrat e Financave të BE-së e kanë dëgjuar më herët këtë mashtrim dhe kërkojnë hapa më konkretë. Justifikimi me luftën kundër evazionit është gjithmonë premtimi i parë i qeverive të dëshpëruara. Kështu mendon edhe George Provopoulos, guvernatori i Bankës Qendrore të Greqisë, i cili kërkoi që dy të tretat e të gjithë reduktimit të deficitit të kryhen përmes uljes së shpenzimeve. Nëse Parlamenti i Greqisë miraton buxhetin e lehtë të qeverisë vitin e ardhshëm, Komisioni Europian është pothuajse e sigurt se do t‘i gjykojë këto përpjekje të pamjaftueshme. Ai mund të kërkojë edhe për reforma strukturore, përfshirë reformën e pensioneve. Nëse qeveria greke refuzon të bindet, gjë që është shumë e mundshme, hapi tjetër do të jetë procedura penalizuese, sipas paktit të stabilitetit. Kështu, në vend që ta ndihmojë Greqinë, BE-ja mund të kërkojë që Athina të paguajë një gjobë. Kjo gjë thjesht sa do ta rëndojë pozicionin financiar të Greqisë, në rast se Athina pranon ta paguajë gjobën.

Strategjia aktuale e BE-së është të shtojë presionin politik, ndoshta të shkaktojë edhe krizë politike, me objektivin strategjik që qeveria greke më në fund të bindet. Është një strategji e rrezikshme që mund të shpërthejë. Edhe nëse Jorgos Papandreu, Kryeministri grek, angazhohet të reformohet, ai do të përballet me presion të jashtëzakonshëm politik, për shkak se masat që nevojiten për të rikthyer stabilitetin kërkojnë kursime dragoniake. Këto masa janë pikërisht e kundërta e asaj që Papandreu premtoi në zgjedhjet e fundit. Problemi i vërtetë është se grekët nuk janë përgatitur nga udhëheqësit politikë për ato që i pret. Pra çfarë mund të ndodhë nëse Greqia nuk arrin të shlyejë borxhet e veta, apo nuk arrin të rishesë borxhet ekzistuese? Rreth dy të tretat e borxhit publik të Greqisë mbahen nga të huajt. Sipas vlerësimeve të "Deutsche Bank", Greqia do të duhet të tërheqë 31 miliardë euro borxh të ri dhe 16 miliardë euro borxhe për të zëvendësuar të vjetrit gjatë vitit të ardhshëm. Në mungesë të ndihmës nga eurozona, qeveria e Greqisë do të duhet të drejtohet te Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ndryshe nga Argjentina, Greqia nuk mund ta zhvlerësojë monedhën e vet. Aq më pak mund të shërbejë si zgjidhje largimi nga eurozona.

Shtrëngimi i rripit sipas stilit të Letonisë do të duhet të vijë në një mënyrë apo një tjetër. Por mund të jetë politikisht më e lehtë për qeverinë aktuale të prezantojë programin e shtrëngimit të rripit si një kërkesë nga jashtë më shumë se sa si një kërkesë nga brenda. Kjo është një arsye shtesë që tregon se BE mund ta ketë më të ëmbël që programi i shtrëngimit të rripit të vijë nga FMN. Grekët janë të papërgatitur për të shtrënguar rripin, por edhe investitorët nuk janë të përgatitur për atë që i pret. Gjithsesi, unë ende jam i gatshëm të vë bast se nuk do të ketë një falimentim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›