E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të dhunuarit me raport të veçantë shëndetësor

Personat e dhunuar do të kenë një skedë informacioni të posaçëm, me të dhëna dhe informacion të detajuar. Evidentimi i rasteve që janë viktima të dhunës do të jenë pjesë e një regjistri të dhënash, do të kenë kartelën individuale, si dhe trajtim të veçantë mjekësor. Të gjitha këto pika janë referuar dje nga ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në takimin ndërsektorial organizuar dje. "Fenomeni i dhunës ndaj femrave dhe fëmijëve është një fenomen ende i pranishëm në shoqërinë shqiptare, pavarësisht se ai shpesh fshihet pas një muri heshtjeje, ndrojtjeje e turpi", theksoi ministri i Shëndetësisë. Sipas tij, të parat që duhet të denoncojnë dhe të ngrenë zërin për ta zhdukur këtë fenomen të tmerrshëm janë femrat, por edhe institucionet përkatëse, që duhet të përkrahin viktimat e dhunës. Ministria e Shëndetësisë ka vendosur për të gjitha institucionet shëndetësore sistemin e raportimit të rasteve të dhunës.

"Për vitin 2009, drejtoritë e Shëndetit Publik të rretheve raportuan në bazë të regjistrit tip, se në institucionet shëndetësore publike numërohen rreth 100 raste të dhunës ndaj grave", deklaroi Vasili. Sipas tij, problemet e shëndetit mendor që rrjedhin nga dhuna, shkaktojnë depresionin post-traumatik, sindromin e stresit, ndjenjën e vetmisë dhe abuzimin me alkoolin. "Po ashtu, vdekshmëria e fëmijës është e prekur pikërisht nga dhuna e ushtruar ndaj grave, ku më e drejtpërdrejta është nëpërmjet vdekjes apo dëmtimit që u shkaktohet vajzave e foshnjave", tha ministri i Shëndetësisë. Nga ana tjetër, Vasili sqaroi se dhuna në familje ka kosto edhe në shpenzimet e kujdesit shëndetësor shqiptar, veçanërisht në repartet e aksidenteve, shërbimet e emergjencës, në kujdesin shëndetësor parësor, si dhe në shërbimet e shëndetit mendor. Sistemi i kujdesit shëndetësor është një nga pikat kyçe për këto lloj ndërhyrjesh. Tani në paketën bazë të shërbimeve shëndetësore të ofruara nga mjeku i familjes në qendrat përkatëse, është përfshirë edhe ofrimi i shërbimit, trajtimit dhe referimit të rasteve të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve. Në kuadër të 16 ditëve ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave, edhe ministri i Punës, Spiro Ksera, e vuri theksin te mbështetja që duhet t‘u japin institucionet përkatëse viktimave të dhunës në familje. "Duhet medoemos të vendoset linja 24-orëshe e denoncimit, ngritja e strehëzave të rehabilitimit të viktimave, si dhe emërimi i punonjësve për çështjet gjinore dhe të dhunës në familje", deklaroi Ksera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›