Greqia ratifikon me shumicë votash MSA-në me Shqipërinë
Përfundon ratifikimi i Marrëveshjes nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian
Mbyllet faza e ratifikimit të marrëveshjes nga të gjithë parlamentet e vendeve anëtare të BE-së. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli përshëndet parlamentin grek për nënshkrimin e MSA që njëherazi shënon edhe mbylljen e saj me të gjitha vendet e BE dhe shprehet e sigurt për thellimin e marrëdhënieve
TIRANE - Greqia ka arritur të ratifikojë Marrëveshjen e Asociim Stabilizimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Edhe pse gjatë seancës së djeshme ka pasur debate të shumta mes deputetëve grek në lidhje me mos ratifikimin e MSA-së, Kuvendi me shumicë votash i ka thënë “po” MSA-së.
“Pro” marrëveshjes kanë votuar partitë më të mëdha greke, si ajo e PASOK, Demokracia e Re dhe Partia Komuniste.
Ku sipas tyre integrimi i Shqipërisë në BE është një kusht më shumë për mbrojtjen e minoriteteve. Madje deputetë të PASOK propozuan dhënien e nënshtetësisë greke për të gjithë fëmijët e emigrantëve që kanë lindur në Greqi, propozim i cili u kundërshtua nga nacionalistët. Deputetë të tjerë kërkuan që integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian mos të jetë thjesht integrim gjeografik, por integrim thelbësor.
Ndërsa në fund të seancës, drejtuesi ka përshëndetur ambasadorin Shqiptar në Greqi z. Vili Minarolli, i cili ka qenë i pranishëm në këtë seancë pas kërkesës së tij.
Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përmes një mesazhi drejtuar Kryetarit të Parlamentit grek Dimitrios Sioufas, falënderon deputetët e këtij parlamenti për miratimin e MSA-së Shqipëri-BE.
“Para së gjithash më lejoni t’ju uroj një vit të mbarë dhe të suksesshëm në jetën dhe karrierën tuaj politike. Njëherazi më lejoni që në emër të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëvë t’ju falënderoj për ratifikimin nga parlamenti Grek i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë.
Ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë është një fakt tepër domethënës dhe një dëshmi e vullnetit të palëkundur të Parlamentit që ju drejtoni, si dhe e vendit tuaj mik për të mbështetur Shqipërinë në proceset integruese dhe perspektivën e saj euro-atlantike.
Jam e bindur se falë edhe impenjimit tuaj personal Parlamenti Grek do të përfshijë në axhendën e tij prioritare edhe ratifikimin e Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”, thekson në letrën e saj kryeparlamentarja Topalli.
Kryetarja e Kuvendit shpreh sadisfaksionin që, brenda një kohe shumë të shkurtër dhe me një ritëm unik u arrit përfundimi i ratifikimit të MSA-së nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
Gjithashtu kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli e ftoi homologun e saj grek për një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Dokumenti, hapi i qeverisë shqiptare në përmbushjen e detyrimeve
Dorëzohet në Bruksel raporti për liberalizimin e vizave me vendet e zonës Shengen
TIRANE - Qeveria shqiptare dorëzoi dje në Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian, raportin e zbatimit të detyrimeve në lidhje me liberalizimin e vizave.
Raporti paraqet progresin e Tiranës në marrëdhëniet me BE-në për të mundësuar heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë. Dokumenti është hapi i dytë që qeveria shqiptare hedh në kuadrin e përmbushjes së detyrimeve në bashkëpunimin me Brukselin.
Pas shqyrtimit, Këshilli i Ministrave të BE-së do të përcaktojë rrjedhën e procesit të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë. Që në marrjen e mandatit qeveria e kryeministrit Berisha premtoi lehtësimin dhe liberalizimin e vizave për shqiptarët që duan në lëvizin në vendet e Bashkimit Evropian.
Shefi i ekzekutivit Berisha vlerësoi pak ditë më parë se procesi i liberalizimit të vizave po ecnin në kursin e tij më të mirë.
Në mbledhjen e fundit, Komiteti Ndërministror i Integrimit miratoi një raport të hollësishëm, në zbatim të detyrimeve që duhen përmbushur për arritjen e heqjes së sistemit të vizave dhe lëvizjen e qytetarët shqiptarë në hapësirën e Bashkimit Evropian.
Ky raport u përgatit nga ministritë dhe të gjitha agjencitë përkatëse.
Ratifikimi dëshmia me elokuente e mbështetjejes
Kanadaja ratifikon anëtarësimin e Shqipërisë në NATO
TIRANE - Kanadaja njoftoi dje ratifikimin e protokolleve të anëtarësimit në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë dhe konfirmoi mbështetjen e saj për politikën e hapur të Aleancës Atlantike. “Kanadaja mbështet me vendosmëri objektivat për anëtarësimin në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë dhe ratifikimi i protokolleve është dëshmia me elokuente e kësaj mbështetjeje”, deklaroi shefi i diplomacisë kanadeze, Lawrence Cannon. “Ky është një mesazh i qartë për të gjitha vendet e tjera kandidate për të vazhduar përpjekjet e tyre të integrimit dhe reformave”, shtoi ai.
Cannon dhe kolegu i tij i Mbrojtjes, Peter MacKay “konfirmuan mbështetjen e Kanadasë për politikën e derës se hapur të NATO-s, që dëshmon vullnetin e Aleancës Atlantike për të pritur në gjirin e saj demokracitë evropiane”.
Në samitin e Bukureshtit që u zhvillua në muajin prill të vitit 2008, drejtuesit e NATO-s u angazhuan se do të vepronin sa më parë për ratifikimin e protokollit me qëllim që Shqipëria dhe Kroacia të ishin pjesëmarrëse me statusin e Aleatëve në samitin e ardhshëm të NATO-s që do të zhvillohet në Strasburg në muajin prill të vitit 2009.