Ish-të përndjekurit politikë shprehen të zhgënjyer pas heshtjes së Topit për dosjet
Eksponenti i ish-të përndjekurve politikë, Agim Musta, tha dje për mediat se zgjedhje e Presidentit të republikës për të heshtur, lidhur me ligjin e dosjeve, përbënte një zhgënjim për të gjithë bashkëvuajtësit
TIRANE - Statisti i madh francez, Sharl De Gol dikur thoshte se “asgjë nuk forcon më shumë autoritetin e një politikani sesa heshtja e tij”. E megjithatë kjo duket se ka shumë
pak të bëjë me Presidentin e Republikës, Bamir Topi që pas një heshtjeje të
gjatë zgjodhi, në fund të afatit maksimal që i lejonte Kushtetuta, heshtjen ndaj
një ligjit për hapjen e dosjeve të komunizmit.
Mes kthimit në Kuvendin e Shqipërisë, një mundësi që kishte filluar të përflitej kohët e fundit nisur nga kritikat e befta publike që kreu i shteti i bëri këtij ligji disa ditë më parë gjatë një interviste televizive, në kundërshtim të hapur me qëndrimet e tij të disa javëve më parë dhe dekretimit të tij sikurse kanë kërkuar me insistim kohët e fundit grupet e interesit, parti politike dhe të rinjtë universitarë, Presidenti Topi zgjodhi opsionin e tretë që i njëh Kushtetuta, atë më të thjeshtin, duke abstenuar. Dhe abstenimi i kreut të shtetit sipas Kushtetutës së vendit bën që automatikisht ligji të hyjë në fuqi.
Me këtë qëndrim Presidenti jo thjeshtë ka revizionuar tërësisht vetveten në raport me atë që ka vepruar në 3 vitet e fundit, duke mos mundur të jetë në pozitat e dikurshme të hartimit të autorit të hartimit të këtij ligji.
Heshtja e tij ndaj një çështje kaq shumë sensitive që tenton shkëputjen e Shqipërisë nga e kaluara komuniste, nuk mund të kanalizohet thjesht si një qëndrim mbi palët, pasi në këtë betejë morale mes persekutorëve gjakatarë komunistë dhe mijëra viktimave që u sakrifikuan në emër të lirisë dhe demokracisë e ndërtimit të shtetit ligjor, ideale këto që po tentohet që të jetësohen prej më se 18 vjetësh nga shembja e diktaturës komuniste, Presidenti i Republikës, pavarësisht prejardhjes së tij politike apo shoqërore duhej që të pozicionohej në krah të procesit të distancimit nga e kaluara kriminale, thënë ndryshe në krah të viktimave, jo për ti dhënë jetë një revanshi por për të valorizuar më në fund gjakun e derdhur pa asnjë faj, jetët e ngrysura nëpër burgje e internime e së fundmi për të dhënë një mesazh për brezat që do të vijnë, se herët e vonë drejtësia në njëfarë mënyre vihet në vend.
Veprimi i “heshtjes” së Presidentit, ka zhgënjyer ish-të përndjekurit politikë. Agim Musta, kreu i shoqatës së të përndjekurve politikë “Musine Kokalari”, u shpreh dje se, “Ndjehemi të zhgënjyer nga hezitimi I presidentit, për të dekretuar ligjin e dosjeve, duke e lënë atë në dorën e ‘heshtjes’”.
Ndërkohë, në pritje të skadimit të aftit të dekretimit të ligjit nga presidenti Topi, studentët e Universiteteve u mblodhën sërish dje para presidencës, ku nëpërmjet një manifestimi I kërkuan Presidentit Bamir Topi, të dekretonte ligjin e dosjeve.
Ligji për dosjet ka hyrë tashmë në fuqi dhe efektet e tij të para po fillojnë që të ndihen që tani, edhe pse Autoriteti për Kontrollin e Figurave nuk është konstituuar ende.
Ajo që realisht nuk pritej ishte theqafja morale që Presidenti i Republikës pësoi në rastin e shqyrtimit të këtij ligji që nuk mbartte dhe aq dilema morale sesa llogari të vogla meskine të cilat mjerisht duket se kanë prelavuar mbi të parat. Në vend të këshillës së De Golit, Presidenti i Republikës zgjodhi proverbin pragmatike që thotë: Nga pema e heshtjes varen kokrrat e qetësisë….