E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqia refuzon paktin për njohjen e patentave

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve, është tentuar të arrihet një marrëveshje me shtetin grek për konvertimin e patentave shqiptare, por kjo nuk është pranuar nga fqinjët.

Ky fakt u bë me dije dje drejtori i Përgjithshëm i Politikave në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, Kujtim Hashorva, gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ku u miratua marrëveshja e njohjes së ndërsjellë të lejeve të drejtimit të automjeteve me Kroacinë.

Sipas Ministrisë së Transporteve, tashmë është arritur marrëveshje me të gjithë vendet e Ballkanit për të mundësuar konvertimin e patentave, por i vetmi shtet që ka një numër të konsiderueshëm shqiptarësh dhe që refuzon, mbetet shteti helen. Zyrtarët konsiderojnë si të suksesshme marrëveshjen e arritur me Italinë, vend në të cilin ka një numër të konsiderueshëm emigrantësh shqiptarë që punojnë dhe që jetojnë. “Kemi problem me Greqinë, megjithëse kemi insistuar disa herë për arsye se aty është një komunitet shqiptarësh. Ishte një sukses i madh që Italia e njohu, sepse është shtet komunitar dhe tregon një kredibilitet të dokumentit që kemi sa u përket elementeve të sigurisë”, theksoi Hashorva.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve, arsyeja që Greqia nuk pranon njohjen e patentave shqiptare, është për shkak të krizës ekonomike. Me njohjen e lejes së drejtimit të automjeteve shqiptare, emigrantëve shqiptarë do t’u mjaftojë marrja e lejes së drejtimit të automjetit në Shqipëri dhe jo të regjistrohen në autoshkollat greke në vendet ku ata jetojnë. “Greqia për problemet e veta nuk ka interes ta njohë patentën, për shkak se duke pasur një prezencë të lartë të shqiptarëve në Greqi, nuk është e interesuar të konvertohet patenta shqiptare pasi ka interes që të vazhdojnë autoshkollat, kurset dhe gjërat e tjera. Praktikisht Greqia ka tre vjet që e zvarrit këtë problem”, theksoi drejtori i MPT, citon “Panorama”.

Ministria e Transporteve, sipas drejtorit Kujtim Hashrova, ka aplikuar në Bruksel për njohjen e lejes së drejtimit të dhënë nga shteti shqiptar. “Këto marrëveshje janë në kuadër të programit të reduktimit të barrierave jo fizike, të cilat janë një problem i madh në kalimet kufitare. Ne tani kemi aplikuar në Bruksel. Duke qenë se edhe Sllovenia e ka njohur, ne kemi aplikuar në Bruksel për një njohje komunitare të lejes së drejtimit, në mënyrë që të lëvizet në të gjithë BE-në.

Aktualisht janë disa vende të Ballkanit që i kanë hapur dritën jeshile njohjes reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve, çka sipas zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve redukton ndjeshëm radhët në pikat doganore.

“Ne kemi bërë një marrëveshje të tillë të njohjes reciproke të lejeve të drejtimit me Italinë dhe kjo është e dyta që kemi zyrtarisht me Kroacinë. Përpara sezonit veror kemi vendosur që ta bëjmë edhe me Maqedoninë. Me Malin e Zi kemi firmosur protokollin për t’i njohur, por nuk është bërë marrëveshja. Me Bosnjë-Hercegovinën, gjithashtu me Slloveninë dhe Bullgarinë. Praktikisht në të gjithë territorin e Ballkanit mund të lëvizet me lejen personale të drejtimit. Kjo lehtëson shumë kalimin në kufi, për arsye se redukton kohën e pritjes në kufi”, theksoi dje drejtori i Politikave në MPT. /Start/

                                                                                             2012-05-01 15:35
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›