Greqia te qendroje ne Eurozone

Dy liderët kryesor të BE-së, Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy janë takuar në Francë. Takimi është përqendruar në thellimin e bashkëpunimit ekonomik si dhe ne rritjen e koordinimit në zgjidhjen e krizës. Në një kohë kur koha e takimeve për një marrëveshje në ristrukturimin e borxhit grek po skadon, të dy krerët e ekonomive më të mëdha të Europës, kanë deklaruar në konferencën e përbashkët për shtyp se dëshirojnë që Greqia të qëndrojë në Eurozonë.“Nuk mund ta imagjinoj që mund të mos ketë një marrëveshje. Kemi punuar për muaj të tërë për të arritur në një consensus dhe nuk mund ta pranojmë falimentin. Në themi se janë vënë në lojë të gjitha mjetet për ta nxjerrë Greqinë, këtë vend të madh europian, nga situata ku gjendet”, u shpreh Sarkozy. Edhe kancelarja gjermane ka deklaruar se dëshiron që Greqia të vijojë të qëndrojë në Eurozonë, por ka shtuar se “dua të sqaroj edhe një herë se nuk mund të ketë asnjë marrëveshje nëse propozimet e trojkës nuk do të aplikohen. Janë mbi tryezë, koha po skadon. Diçka duhet të ndodhë me shpejtësi. Jam në favor ashtu sikurse presidenti francez, për idenë që pagesat e interesit të nevojshëm të borxhit të derdhen në një llogari të ndarë, me qëllim që të sigurohet se Greqia do t’i ketë këto para në dispozicion gjithmonë”.