Korçë, merr mbidozë qetësuesish, gjendet pa ndjenja 30-vjeçari
KORÇE - Konsumon mbidozë të qetësuesve në kushtet e një depresioni të rëndë. Sipas policisë, mbrëmjen e së martës në shkallët e një dyqani përballë spitalit të Korçës është gjendur në gjendje të rëndë shëndetësore një djalë rreth 30 vjeç. Pranë tij ishin derdhur një sasi medikamentesh me mbishkrimin “Loran”, të cilat përdoren për qetësues. Kalimtarë të rastit kanë informuar disa nga infermierët e spitalit për t’i dhënë ndihmë mjekësore, mbasi ai ishte pa ndjenja. Ata e morën me barelë dhe e çuan në sallën e reanimacionit. Nga vizitat mjekësore u dyshua se ishte helmuar me qetësuesit që iu gjetën pranë. Menjëherë filloi pastrimi i stomakut nga ky medikament nëpërmjet lavazheve të përsëritura. Sipas mjekëve djali e kaloi rrezikun për jetën. Blutë nisën hetimet dhe zbuluan se ai ishte parë nga disa persona që kalojnë në rrugën prapa spitalit, duke konsumuar tabletat e mësipërme. Vetëm dje pasdite ai ka mundur të përmendet dhe të japë disa nga gjenealitetet e tij. Policia që e mori në pyetje mundi të mësojë me shumë vështirësi vetëm emrin e tij, Gjergji Anastasi. Edhe pse disa herë është pyetur ai nuk ishte në gjendje të jepte të tjera të dhëna të tjera. Sipas policisë, nga hetimet paraprake rezultoi se 30-vjeçari jetonte në lagjen nr. 7 të Korçës. Më pas ai ka rrëfyer se vuante nga depresioni dhe vazhdimisht konsumonte qetësues. Por ditën e martë ai kishte konsumuar 28 kokrra nga pesë të tilla që duhej të pinte. “Jam i vetëm dhe me vret vetmia”, ka deklaruar Anastasi për policinë e mjekët kur është përmendur. Gjatë qëndrimit të tij në spital nuk kishte ardhur për ta parë askush. Vetëm dje në mbrëmje u shfaq krejt papritur një grua, e cila u prezantua si motra e tij. Ajo teksa e pa që kishte kaluar fazën e intoksikimit dhe kishte dalë nga gjendja e rënduar, e nxori nga spitali dhe e mori me vete. j.gj