Topi, një mision i pamundur?
Forum/ Negociatat e pritshme Berisha-Rama. Flasin: Skënder Minxhozi, Lutfi Dervishi, Aleksandër çipa dhe Enton Abilekaj
A do të arrijë të mblidhet tryeza e “kompromisit”, e iniciuar nga Presidenti Topi dhe cilat do të ishin përfundimet e këtij takimi. Ndërhyrja e komunitetit ndërkombëtar dhe gjasat për kompromis. Këto janë pikëpyetjet që dalin pas pranimit paraprak nga Kryeministri Berisha dhe lideri i opozitës, Edi Rama, për të marrë pjesë në tryezën e Presidentit. Gazeta “Shqip” ka organizuar për këtë çështje një forum me analistë, ku në diskutimin në të cilin shtrohen tre pyetje, marrin pjesë: Skënder Minxhozi, Lutfi Dervishi, Aleksandër çipa dhe Enton Abilekaj...
1. Pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, më në fund të dyja palët kanë pranuar pjesëmarrjen në tryezën e Presidentit, sipas jush pse palët lëshuan “pe” dhe a mund të jetë ky premtim real?2. Në javët që vijojnë, Shqipëria pritet të “mësyhet” nga një numër i madh politikanësh dhe diplomatësh për të zgjidhur krizën. A mendoni se Shqipëria është kthyer në një vatër problematike në Ballkan ashtu si dhe Bosnja?3. Si e mendoni se do të jetë skenari i zhvillimeve?
Skënder Minxhozi1. Fillimi i mbarë, gjysma e punës, thotë proverbi. Nuk dihet sesa do të jetë ky rasti në fjalë, kur Kryeministri dhe kreu i opozitës të fillojnë negociatat te Presidenti Topi. Nuk ka dyshim se as Berisha dhe as Rama nuk po shkojnë me dëshirë drejt këtij takimi, i cili ka si sponsor kryesor politik, bashkësinë ndërkombëtare. Rezoluta e Këshillit të Europës zyrtarizoi krizën dhe vuri në qendër të saj figurën e kryetarit të shtetit, si të vetmin institucion garant, me autoritetin dhe integritetin e nevojshëm. Por pikërisht këtu, tek autoriteti ndaj palëve, duket se ndodhet pika e dobët e zotit Topi, i cili nga Berisha shihet si një ish-vartës i tij, kurse nga Rama konsiderohet si njeriu i zgjedhur nga mazhoranca dy vjet e ca të shkuara. Për të ardhur te pyetja juaj, arsyeja pse palët lëshuan pe, ka të bëjë së pari me rritjen e presionit ndërkombëtar dhe së dyti, pasi as Berisha dhe as Rama, nga pozitat respektive, nuk mund t’ia lejojnë vetes ta zgjasin pafund telenovelën e zgjedhjeve.
2. Fakti që Shqipëria, së bashku me Bosnjën dhe Kosovën, janë vendet e fundit në rajon që po avancojnë statusin e tyre ndaj Bashkimit Europian, është një provë e shqetësimit që ngre pyetja juaj. Nuk ka asnjë dyshim se në të gjitha standardet kryesore, me të cilat matet zhvillimi i një vendi demokratik, ne kemi probleme të rënda dhe parametra të ulët. Shqipëria vazhdon të jetë prej 20 vjetësh një demokraci e brishtë dhe e korruptuar. Kjo na vendos automatikisht në krye të axhendës së mjaft institucioneve që merren me çështjet e sigurisë dhe demokracisë. Edhe ofensiva e fundit e ndërkombëtarëve për krizën aktuale, jep të njëjtin mesazh. Pra, që jemi një vend ku shumëçka shkon keq dhe ku progresi ka ende shumë sfida të mëdha përpara.
3. E vështirë të thuhet, për sa kohë që PD e PS po kujdesen që të shkojnë drejt tryezës së Presidentit, pa lëshuar asgjë nga lista e tyre e kushteve. E parë nga aspekti i qëndrimeve aktuale të palëve, duket sikur s’do të ketë një zgjidhje të afërt të krizës. Por siç dimë, dinamika e këtyre proceseve është shpesh e paparashikueshme. Presioni i ndërkombëtarëve do të vijë duke u rritur, pasi besoj se edhe komunitetit ndërkombëtar nuk i intereson që një proces ku është përfshirë me kaq shumë energji, të dështojë.
Lutfi Dervishi1. Situata nuk mund të vazhdojë pafundësisht në këtë gjendje dhe kërkohet një zgjidhje. Pyetja nuk është a do të zgjidhet kriza, por kur dhe si do të zgjidhet ajo? Premisat që kërkohet zgjidhja më duken të gabuara. Të gjithë faktorët ndërkombëtarë dhe, po e nënvizoj, të gjithë thonë se bojkotit i duhet dhënë fund dhe bojkoti nuk është rruga e zgjidhjes së problemeve në demokraci, ndërsa për lidershipin e PS-së dhe mbështetësit e tij kjo fjali përkthehet: "bojkoti na solli tryezën, bojkoti na solli ndërkombëtarët, bojkoti do të zgjidhë kërkesën (ultimative), hapjen e kutive". Në vijim të traditës për të thënë në fillim fjalën e fundit, edhe deklarimet e para ndaj gatishmërisë së Presidentit për të organizuar tryezën të krijojnë përshtypjen se palët dhe sidomos opozita nuk janë gati për një zgjidhje të shpejtë të situatës. Paradite, lideri (part time i opozitës,- sepse që prej vitit 1998 si individ është në pushtet si kryetar bashkie e si ministër) i PS-së, Edi Rama zhvillon një takim me theks protestën dhe pasdite mbledh gazetarët për të shpjeguar edhe një herë se pse do të vijojë protestën për "hap kutitë ose ik".Deklarimi i zyrës së Presidentit se në ditët në vijim do të vijojë kontaktet për të përgatitur termat e bisedës në tavolinë është një tregues që zgjidhja do të kërkojë kohë dhe nuk do të jetë e lehtë.
2. Shqipëria kurrsesi nuk është vatër krize në Ballkan dhe kurrsesi nuk mund të krahasohet me Bosnjën. Ne kemi një problem me veten dhe me zgjedhjet. Mosnjohja e zgjedhjeve është përdorur si pretekst për të bllokuar qarkullimin e elitave politike. Sa herë e keni dëgjuar refrenin "po të ishin zgjedhjet e rregullta, do të isha larguar". Zgjedhjet e fundit. Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit nuk janë zhvilluar në mënyrë sekrete, janë zhvilluar në sytë e opinionit publik, nën vëzhgimin e OSBE-ODHIR dhe nën kamerat e mediave dhe kamerat e KQZ-së në çdo qendër numërimi në të gjithë Shqipërinë. Ka një raport të ndërkombëtarëve që i certifikon këto zgjedhje si më të mirat që ka zhvilluar ndonjëherë Shqipëria, ka një listë të gjërave që duhen ndrequr dhe që përfshijnë infrastrukturën, mediat, financimet, përurimet, administratën etj. Por elefanti që qëndron në dhomë dhe jo të gjithë e shohim është se "Rama i humbi zgjedhjet". Edhe më i flakti i Partisë Socialiste e ka të vështirë të shohë në ëndërr se PS-së i kanë marrë 6 apo 7 mandate. Rama ka humbur, por ai nuk mund të thotë humba, sepse do të nënshkruante ekzekutimin politik të vetes dhe do t'i duhej të zbatonte nenin e statutit që e shkroi me dorën e vet "largim të kryetarit nëse partia nuk vjen në pushtet". E vetmja rrugë për mbijetesë politike është radikalizimi dhe mbarsja e opinionit me sloganin "hap kutitë"...! Vetë z. Rama ndodhet në vështirësi se përpara ka tre kundërshtarë; së pari brenda radhëve ka përballë Blushin me grupin e tij, së dyti, brenda kampit ka liderë të partive të vogla aleate që për "një plesht janë gati të djegin jo vetëm jorganin, por edhe krevatin bashkë me shtëpinë" mjaft të ketë pak zjarr se "është ftohtë". Së treti përballë barrikadës ka Berishën. Përballë këtij të fundit, në harkun e dy-tre viteve, zoti Rama ka humbur së paku tri herë. 1. Humbi shansin për të zgjedhur Presidentin e Republikës. 2. Zgjodhi vetë sistemin zgjedhor dhe humbi zgjedhjet. 3. Ndryshoi Kushtetutën dhe e bëri Kryeministrin "monument që mbrohet nga Kushtetuta". Pas një viti, zoti Rama ka një përballje tjetër me zotin Berisha, por jo vetëm me të. Do të jenë zgjedhjet lokale dhe këtë radhë, në krah të zotit Berisha, do të jetë edhe një politikan tjetër që zoti Rama e njeh mirë. Quhet Ilir Meta. "Beteja për Tiranën" vitin tjetër do të jetë shumë interesante. Nëse ka hapësirë për spekulim le të spekulojmë pak dhe të ngremë pyetjen: mos vallë kriza e tanishme ka si sfond atë që do të vijë pas një viti?! Situata politike në të cilën ndodhet zoti Rama, lideri part time i "popullit opozitar", bën që Shqipëria të jetë në krizë dhe duhet të na vijnë miqtë tanë për të ndërmjetësuar për të gjetur rrugëdalje. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, por ne kemi lider që kërkojnë që jo ligji dhe institucionet, por populli duhet ta marrë në dorë situatën! Jo vetëm nga historia e largët ne e kemi një ide se çfarë bëhet kur populli merr në dorë komandën. Zotit Rama i duhet dhënë merita se tashmë ka konsoliduar një precedent, se me bojkot nuk del pa gjë. çdo forcë politike që nuk i pëlqen humbja mund të përdorë bojkotin në zgjedhjet e radhës dhe të nxjerrë popullin opozitar në rrugë për të hapur kutitë!
3. Liderët e mëdhenj kanë një cilësi (nëse janë të tillë) se janë të paparashikueshëm! Uroj të jenë të paparashikueshëm për mirë. Nëse së shpejti do të kemi tryezë do të duhet kompromis dhe një situatë ëin-ëin. Nëse emëruesi i përbashkët është që zgjedhjet e radhës (që nuk janë larg) të mos kenë asnjë problem, tryeza ka punë dhe mund t'i bëjë një shërbim vyer demokracisë, stabilitetit politik e institucional pse jo edhe imazhit të vendit. Nëse opozita e përshëndet dhe duartroket rezolutën e Këshillit të Europës, le të jenë (të gjitha) pikat e kësaj rezolute bazë për tryezën e bisedimeve. Deri më tani rezoluta është trajtuar si një vile rrushi ku zgjedh 2-3 kokrra që të pëlqejnë. Druaj se nuk është meraku se si të shkojnë gjërat më mirë, por sa do të fitojë (politikisht) tani.Tryeza e Presidentit të Republikës është shansi i artë që "kriza" të zgjidhet pa ndërmjetësinë e ndërkombëtarëve. Një vend që aspiron të jetë së shpejti kandidat për Bashkimin Europian, një vend anëtar i NATO-s presupozon që të ketë një elitë politike të aftë për të zgjidhur krizat. Nuk duhet harruar se në kushtet që po kalon Europa dhe e gjithë bota në tërësi, Shqipëria nuk është qendra e botës dhe problemet tona të perceptohen dhe përjetohen siç përjetohen në protesta apo studio televizive në Tiranë. është një kohë interesante dhe liderët ndahen në të mëdhenj dhe të vegjël, nga vendimet që marrin në momente të rëndësishme.
Aleksandër çipa1. Nuk mendoj ende se palët kanë lëshuar pe. Duhet të jemi të saktë të pohojmë se nuk janë dy palë, janë dy protagonistë politikë me pushtet respektiv mbi palët. Pranimi i të dy protagonistëve për të qenë pjesë e një tryeze bisedimi të moderuar prej Presidentit të Republikës, duket hapur se ka qenë së pari problem i Kryeministrit. Kryesuesi i shumicës që e ka zgjedhur dikur Presidentin aktual të Republikës, është momentalisht në një marrëdhënie të fshehtë antagonizmi me zotin Topi. Arsyet marren mend, por jo të afishuara. Personalisht mendoj se kjo ulje në tryezën e Presidencës, deri në këto momente nuk është një “lëshim pe-u”, por thjesht një taktikë për të ikur prej skemës së faturimit të përgjegjësisë për ndërprerjen e komunikimit mes kryetarit të shumicës, pra Kryeministrit dhe kryetarit të opozitës. Mbajtja e bllokuar e komunikimit, ose e thënë saktësisht kriza e komunikimit, është një përgjegjësi jo palësh, por individësh, në sy të institucioneve ndërkombëtare, kjo flagrancë është e patolerueshme. Ajo që po ngjet mes dy aktorëve të këtij realiteti të mprehtë mosmarrëveshës, sipas meje është vetëm një premisë dhe kurrsesi nuk mund të merret si një premtim real. Të dy politikanët e këtij antagonizmi në vend, mesa duket, në këtë përballje do ta vonojnë edhe pak më tej, premtimin real.
2. Nuk mendoj se Shqipëria është kthyer në një vatër problematike. Shqipëria në kontekstet e nevojës për stabilitet rajonal është realisht një model suksesi. Kjo, jo për shkak dhe merita të diplomacisë institucionale që shtron apo shkel institucioni i diplomacisë, por për arsye më komplekse. Shqipëria tashmë ka ricikluar një krizë të brendshme, të cilën fatmirësisht nuk e ka paraprirë një konflikt dualpolitik, por një polemikë e ardhur kreshendo që nga zgjedhjet e deri më sot. Antagonizmi i refuzimit të cilësisë dhe deformimit zgjedhor, u mavijos politikisht dhe tashmë jemi në situatën kur tejzgjatja e këtij bllokimi të rezultuar në krizë, kërkon ndërmjetësim komunitar. Kjo është sfidë me efekte për nivelin dhe ndërgjegjen e pamaturuar të elitës politike të vendit. Shqipëria deri në këto çaste nuk është “vatër problematike në Ballkan”, por thjesht një shtet i vogël që nuk po fiton dot qëndrueshmërinë e demokracisë së vet, e cila fatkeqësisht po bëhet jo më hibride, por më e mpakur dhe rrezikohet për t’u paraplegjikuar. Simptomat janë të këqija. Këtu besoj se do të konsistojnë ardhjet dhe sidomos ndërhyrjet e përfaqësuesve politikë dhe institucionalë nga Europa në ditët e afërta, deri në mars.
3. Tipik i Shqipërisë së tranzicionit. Protagonistët do të hiqen tolerantë në monologun e foltoreve dhe djaj në dialog me njëri-tjetrin, pavarësisht nga moderatorët. Historia që po prodhojnë sot zotërinjtë Berisha dhe Rama, duhet parë si një histori e cila sa vlen kundër njëri-tjetrit, aq edhe zvarrit vendin në bindjen e të tretëve, se vend i botës së tretë mbetemi. Skenari do të vijë pas agravimit të mëtejshëm të kësaj kryeneçësie bipolare. Nuk është një skenar që e pret të drejtën e njërit apo refuzimin e tjetrit me thikë, por që do të ketë në thelbin e tij një zgjidhje pragmatiste për llogaritë e protagonistëve, jo për cilësinë apo shërimin e demokracisë institucionale në vend. Zgjidhja do të vijë sërish, duke u paraprirë nga një akt tjetër neglizhimi apo shkeljeje të referencës morale dhe principit për pastrim një herë e përgjithmonë, të procesit të ndotur të zgjedhjeve shqiptare.
Enton Abilekaj1. Nuk është e lehtë që palët të lëshojnë “pe” dhe nuk mendoj se ka pasur lëshime thelbësore. PS e para ishte e interesuar për zhvendosjen e jetës politike jashtë institucioneve të mandatuara, që do të thotë jashtë Parlamentit, por kjo nuk i mjafton. PS është e interesuar për hapjen e kutive, që nuk duket se mund të arrihet lehtë, pasi PD është e gatshme që jeta politike të dalë nga Parlamenti vetëm që të mos hapen kutitë. Pra, megjithëse duket si një fitore e PS, në fakt është një lëshim i PD për të mos lëshuar më të rëndësishmen, hapjen e kutive. Nuk mund të thuhet në këto kushte se ka një mundësi reale për marrëveshje. Ka vetëm një pikë që i ndan dy partitë e mëdha dhe tek ajo pikë asnjë palë nuk tërhiqet.
2. Bosnja nuk mund të jetë shteti tipik për t’u krahasuar me Shqipërinë, pasi problematikat e Bosnjës janë të shumta. Gjithsesi fakti që çështja po shkon tek ndërhyrjet e huaja diplomatike shkakton pesimizëm, tregon që edhe ata që qeverisin, edhe ata që mund të qeverisin nesër nuk janë të aftë t’i zgjidhin vetë problemet e vendit. Bojkoti i paargumentuar i PS dhe mosreflektimi i paargumentuar i PD, injorimi i përfaqësuesve ndërkombëtarë, ambasadorëve madje lufta ndaj tyre, që u bë nga të dyja palët, tregon se për interesa të ngushta politike, Berisha dhe Rama janë gati të sakrifikojnë gjithçka që ka të bëjë me interesat e vendit. Ky është lajmi më i keq për shqiptarët.
3. Shumë i vështirë të parashikohet skenari në një ambient politik që shpik çdo ditë një histori të re. Gjithsesi ndërhyrja ndërkombëtare mund të çojë në zgjidhjen e pikës së vetme, hapjen e kutive. Hapja e kutive që shihet si precedent negativ nga mazhoranca e sotme në fakt duhet të shndërrohet në një procedurë zgjedhore. Nevoja për hapjen e kutive lindi dhe në vitin 2005, jetoi edhe në 2009 dhe do të jetojë edhe pas zgjedhjeve të tjera, derisa të krijohet besimi në vullnetin politik dhe në administratën zgjedhore. Kështu që për të mirën e të gjitha palëve është që hapja e kutive të shndërrohet në procedurë, që shkelësit e ligjit dhe prishësit e procesit të votimit të përballen me ndëshkimin e ligjit. Vetëm kështu mund të shërohet sëmundja e zgjedhjeve problematike që na turpëron dhe na bllokon prej 20 vjetësh.
#