E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqësori, duhet vullnet politik nga dy palët

Lohan

Paralelisht me ambasadorin që përfaqëson Këshillin e BE-së, një tjetër mesazh të rëndësishëm ka dhënë edhe diplomati që drejton delegacionin e Komisionit Europian në Tiranë, pra qeverisë së tij. Ambasadori Helmut Lohan deklaroi se “Pavarësia e gjyqësorit është sfidë për Shqipërinë dhe për të arritur këtë duhen strategji afatgjata. “Sfidë kryesore për Shqipërinë është pavarësia e gjyqësorit, për këtë arsye duhet vullnet nga të gjitha palët. S’ka shtet ligjor të shumicës dhe pakicës. Ndaj, ne mendojmë se për strategjinë e gjyqësorit duhet vullnet i gjerë politik”, theksoi Lohan. Sipas ambasadorit Lohan, për sistemin gjyqësor duhet një strategji e gjerë dhe gjithëpërfshirëse, ndërsa ka shtuar se “kushtet në gjykata dhe prokurori janë jo të mjaftueshme për efikasitet”. Deklaratat e Lohan u bënë gjatë përurimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ndërtimi i të cilës u mundësua nëpërmjet financimit prej €6.5 milionë të Komisionit Europian. Pothuajse tre vjet pas fillimit të punimeve, Gjykata e Krimeve të Rënda tashmë ofron kushte të shkëlqyera për një punë eficente, profesionale dhe transparente nga stafi i gjykatës dhe i prokurorisë. Ndërtimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda është vetëm një nga nismat ndihmuese të Komisionit Europian për funksionimin e sistemit gjyqësor në Shqipëri. Infrastruktura e dobët ka qenë vazhdimisht një nga problemet kryesore të gjyqësorit në Shqipëri dhe Komisioni Europian ka ndihmuar në përmirësimin e saj duke rindërtuar gjykatat e Sarandës, Vlorës, Dibrës dhe Korçës. Ndërkaq, ministri shqiptar i Drejtësisë, Bujar Nishani, deklaroi në fjalën e tij se “drejtësia ka nevojë për më shumë transparencë nëpërmjet pjesëmarrjes së publikut. Për këtë arsye edhe godina e re e Gjykatës për Krimet e Rënda mundëson pjesëmarrjen e rreth 300 personave në 5 sallat e saj gjatë zhvillimi të proceseve të ndryshme gjyqësore penale. është akoma shpejt të thuash se brenda godinës së re, është krijuar një traditë juridike e konsoliduar, megjithatë, unë kam besim të plotë se në mbi 200 zyrat e vëna në dispozicion të pushtetit gjyqësor, Gjykata e Krimeve të Rënda me transparencën dhe përgjegjshmërinë e saj do të garantojë bërjen e drejtësisë”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›