Letër e hapur nga anëtarë të komunitetit ndërkombëtar
Komuniteti ndërkombëtar në Shqipëri shpreh shqetësimin serioz për raportimin e papërgjegjshëm dhe diskriminues në disa media mbi dhunën në familje, trafikimin si dhe grupet e tjera vulnerabël. Raportimi i fundit për strehëzat e viktimave të trafikimit dhe dhunës në familje, ka injoruar privatësinë, dinjitetin dhe të drejtat njerëzore të viktimave. Miratimi i mirëpritur i Ligjit kundër Diskriminimit nga Parlamenti, më 4 shkurt, nënvizon se një situatë e tillë nuk mund të tolerohet. Komuniteti ndërkombëtar vlerëson mbështetësit e shumtë në media, të cilët përpiqen të sigurojnë raportim të lirë, të drejtë dhe etik. Ne inkurajojmë këta mbështetës të fuqishëm të vendosin standarde të larta në raportimin etik për veten dhe për kolegët e tyre.
Ne gjithashtu inkurajojmë institucionet shqiptare si Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit dhe Parlamentin që të ndihmojnë për të siguruar në media respekt për dinjitetin, privatësinë dhe të drejtat e individëve dhe familjeve që ndeshen me dhunë seksuale, emocionale dhe fizike.Dhuna në familje dhe trafikimi njerëzor mbeten një problem i përhapur në Shqipëri. Të dhënat e fundit të publikuara nga INSTAT tregojnë se 50.6 për qind e grave në Shqipëri kanë vuajtur nga abuzimi emocional, 31.2 për qind kanë vuajtur nga dhuna fizike dhe 12.7 për qind nga abuzimi seksual; 57 për qind e fëmijëve janë përballur me dhunë fizike. Trafikimi mbetet një çështje e fshehur brenda komuniteteve. Viktimat, jo vetëm që vuajnë nga abuzimi fizik, por përballen dhe me përjashtimin nga komunitetet e tyre. Strehëzat janë shpesh të vetmet vende të sigurta për viktimat e abuzimeve. Këto strehëza dhe shërbimet mbështetëse kanë rëndësi të jashtëzakonshme dhe duhet të mbrohen dhe ndihmohen sa më shumë që të jetë e mundur.
Media ka rol thelbësor në luftën kundër qëndrimeve dhe barrierave në shoqërinë që toleron këto fenomene. Media që injoron, ose akoma me keq, që keqpërfaqëson situatën e viktimave të dhunës në familje apo trafikimit, jo vetëm që e rëndon këtë dhunë, por mund të bëjë dhe që viktimat të heshtin.
Një media e lirë dhe e përgjegjshme është përfaqësuese e një demokracie moderne europiane; ekzistenca e saj është një hap themelor në procesin e integrimit europian. Ne u bëjmë thirrje të gjithë përfaqësuesve të medias që të marrin me seriozitet rolin e tyre të rëndësishëm, të sillen në mënyrë të përgjegjshme dhe të lobojnë për mbrojtjen dhe respektin e vlerave, të drejtave dhe lirive themelore të shoqërisë.
#