Ligji për makinat, zbatim sipas qejfit
Zyrtarët në rrethe të ndryshme kanë gjetur zgjidhje të ndryshme për të qenë në rregull me ligjin
Hyrja në fuqi e ligjit që u heq automjetet zyrtarëve të shtetit nuk ka gjetur ende zbatim në të gjithë vendin. Pjesa më e madhe e pushtetarëve vendorë, drejtorëve të drejtorive dhe zyrtarëve të tjerë të administratës publike në rrethe vazhdojnë të përdorin makinat e shtetit dhe të paguajnë shoferë. Në disa raste, zyrtarët kanë mbyllur makinat shtetërore në garazh apo kanë filluar të blejnë vetë karburantin, por nuk kanë dorëzuar makinat, pasi qeveria nuk ka nxjerrë ende asnjë akt nënligjor për këtë çështje.
Zyrtarët vendorë në Dibër thonë se kanë marrë një urdhër për dorëzimin e makinave deri më 8 shkurt, por ende janë të paqartë për procedurat dhe vazhdojnë të ruajnë regjimin e mëparshëm. Edhe në Shkodër, asgjë nuk ka ndryshuar me hyrjen në fuqi të ligjit. Të gjithë zyrtarët që më parë kishin makinë dhe shofer në dispozicion vazhdojnë të kenë të njëjtin privilegj. Të gjithë drejtuesit e pushtetit lokal si prefekti, kryetari i qarkut, kryetari i bashkisë dhe drejtues të tjerë institucionesh lëvizin serish me makina në dispozicion. Nga ligji duket se janë pushtetarët e dorës së dytë, në nivel nënkryetarësh, të cilët u është hequr e drejta të kenë makinë me shofer në dispozicion. Në Sarandë, pushtetarët vendorë kanë gjetur vetë një zgjidhje për të zbatuar ligjin, edhe pse nuk kanë ende orientime të sakta. Nënprefekti Gjergji Mano thotë se një automjet i vetëm që është në pronësi të këtij institucioni qëndron i mbyllur pas shpalljes së ligjit për heqjen e makinave të zyrtarëve. Sipas tij, nuk kanë mbërritur akte nënligjore se si do të ecë procesi i privatizimit dhe kjo ka diktuar mbylljen e mjetit në garazh. E njëjta situatë është edhe në Bashkinë e Sarandës, në pronësi të së cilës janë pesë automjete, së bashku me ato që kanë qenë në përdorim të policisë bashkiake. Zëvendëskryetari i kësaj bashkie, Fatos Mullaj, tha për "Shqip" se zyrtar është bërë vetëm ligji për privatizimin e makinave shtetërore, ndërkohë që asnjë akt nënligjor nuk ka mbërritur. Një pjesë e zyrtarëve të Fierit kanë gjetur një zgjidhje vërtet origjinale për të qenë në rregull me ligjin dhe interesat e tyre personale. Për të mos humbur privilegjet, zyrtarët kanë emëruar shoferët në detyra të tjera, por duke vazhduar t’i shfrytëzojnë për të njëjtën punë. Ata kryejnë të njëjtin funksion si më parë, por pagën e marrin sikur të kishin një pozicion tjetër pune. Bashkitë në shkallë qarku si Bashkia e Fierit, Ballshit, Patosit, Lushnjës, Divjakës dhe Roskovecit kanë aplikuar këtë formë të “zbatimit” të ligjit. Kështu ka vepruar edhe kreu i Këshillit të Qarkut dhe prefekti. Gjithashtu edhe institucioni i shërbimeve të transportit rrugor, apo dhe drejtoritë e tjera rajonale kanë mbajtur shoferët e drejtuesve në punë, duke i pozicionuar në vend tjetër brenda institucionit, por në fakt duke i shfrytëzuar si drejtues të mjeteve të tyre personale.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, ka gjetur një tjetër zgjidhje. Ai nuk mban më shoferin, por mban në përdorim makinën shtetërore dhe blen karburantin me paratë e veta. “Ligji ka gjetur pjesërisht zbatim në bashkinë tonë. Unë tashmë nuk kam shofer në dispozicion dhe as nuk përdor karburant të shtetit për përdorimin e makinës. Jam duke pritur një urdhër të dytë për nxjerrjen në ankand të makinës”, thotë Gjika. Në këtë fazë janë dhe disa nga institucionet e tjera të Vlorës. Në Gjirokastër, ligji ka nisur të zbatohet vetëm nga disa institucione. Të parët që janë “bindur” kanë qenë administrata e universitetit publik "Eqrem Cabej" dhe Drejtoria Rajonale e Monumenteve të Kulturës, që kanë nisur procedurat e largimit nga struktura të shoferëve. Burime nga prefektura bënë të ditur se janë edhe shumë institucione të tjera që kanë nisur procedurat, por gjithsesi ka një tendencë për të mos i nxjerrë shoferët në rrugë, por për t’i sistemuar në vende të tjera pune, brenda organikës së institucioneve, sikundër është bërë në Fier.
#