E Diel, 1 Nëntor 2026

Greva e fermerëve grekë, emigrantët shtyjnë udhëtimet

Kapshticë/ Bllokohen lëvizjet ndërkufitare. Protestuesit nuk lejojnë asnjë mjet të kalojë në rrugë

Prej dy ditësh shtetasit shqiptarë e kanë të pamundur të kalojnë kufirin me shtetin grek. Protestat që janë përshkallëzuar në vendin fqinj, kanë prekur edhe fshatrat në afërsi me kufirin shqiptaro-grek, ku fermerët kanë nxjerrë në rrugë mjetet bujqësore në formë proteste, duke bllokuar kështu çdo mundësi për të udhëtuar drejt Greqisë. Madje dhe rastet emergjente fillimisht nuk kanë mundur ta kalojnë kufirin, ndërkohë që është dashur ndërhyrja e policisë greke, për të rënë në bisedime me protestuesit e për të mundësuar hapjen e rrugës për raste të tilla. Shumë nga shtetasit shqiptarë, të cilët kanë mundur të kryejnë procedura pranë pikës kufitare në momentet kur sportelet kanë pasur hapësira për punë, janë detyruar të qëndrojnë pranë fshatit të parë grek, Kristalopigji, për faktin se udhëtimi i tyre nuk mund të shkojë më tej me automjete. Kalimi i kufirit kryhet me orare të pacaktuara qartë.
Prej dy ditësh shtetasit shqiptarë, por edhe ata të huaj, që kanë planifikuar lëvizjet në kufirin me Kapshticën, janë detyruar të anulojnë udhëtimet. Në rastin më të keq, për shkak të devijimit të rrugëve për të gjetur mundësi për kalimin me mjet, të gjithë shtetasit që mund të kryejnë procedurat në kufi, vonohen në thellësi të territorit deri në tetë orë, por dhe më tepër, pasi fermerët nuk lejojnë hapjen e rrugëve, duke vështirësuar kështu trafikun. Lëvizjet në kufirin grek janë paralizuar në të dyja anët. Burimet e policisë thonë se nga ana e palës greke gjatë ditës së diel është punuar me orare të reduktuara. Deri në orën 18:00 janë kryer vetëm tre hapje të procedurave për disa minuta, duke mundësuar kalimin e mjeteve që kanë qenë në radhë. Sipas të dhënave nga burimet policore vendase, pala greke nuk ka pasur mundësinë të kryejë asnjë procedurë kalimi, pasi një kilometër më tej doganës rruga ka qenë e bllokuar nga grevistët. Megjithatë, ndërkohë që nuk janë kryer procedura për shumë orë, të paktën tri herë pala greke ka mundur ta hapë kufirin për të lejuar kalimin e automjeteve në të dyja anët.
Shumë emigrantë të cilët kanë planifikuar të udhëtojnë në këto ditë, kanë mbetur të bllokuar në kufi, ndërsa ata që duhet të mbërrijnë në vend, kanë shtyrë udhëtimet. Puna në kufi është paralizuar si pasojë e grevës dhe protestave në rrugë të fermerëve. Sipas të dhënave, rruga është bllokuar që në afërsi të kufirit dhe nuk dihet se sa do të vazhdojë kjo situatë. Mjetet bujqësore nuk lëvizin nga akset rrugore dhe nuk ka një njoftim në rast se ditën e hënë do të ketë lëvizje në pikat kufitare si rrjedhojë e ndërprerjes së grevës. Sipas policisë vendase ka gjasa që protestat të përshkallëzohen më tej, duke çuar kështu në paralizimin e punës me lëvizjet ndërkufitare. Procedurat nuk mund të kryhen as gjatë orëve të natës, pasi grevistët grekë nuk i lëvizin mjetet nga rrugët.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›