E Diel, 1 Nëntor 2026

Hetimet, i dyshuari për disa vjedhje vdes nga overdoza

Tiranë

Një i ri ka vdekur nga overdoza, ndërkohë që policia e kryeqytetit po heton më tej rreth ngjarjes. Bëhet fjalë për një 23-vjeçar, i cili që në moshë të mitur ka qenë kontingjent kriminal dhe është arrestuar disa herë për vjedhje. Rifat Arixhiu është dërguar nga të afërmit në spital, kur ishte në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Sipas të dhënave policore, ngjarja është regjistruar dy ditë më parë, kur shërbimet e Komisariatit nr. 2 janë njoftuar për vdekjen e tij. Burimet shpjegojnë se ai vdiq rreth orës 13:00 në spital dhe menjëherë është dërguar për kryerjen e autopsisë. Nga ekzaminimet mjekësore ka rezultuar se ai ishte përdorues i drogave të forta prej kohësh dhe overdoza i ka shkaktuar vdekjen. Nga ana tjetër, një grup pune është dërguar në banesën e tij në rrugën “Irfan Tomini”. Atje janë gjetur edhe objekte të përdorura prej tij, për të marrë dozën e drogës. Sipas të dhënave, ai ishte person me dosje penale, sidomos në fushën e vjedhjeve. Burimet policore tregojnë se disa herë, që kur ishte 14 vjeç ishte kapur për vjedhje të ndryshme. Por, kohët e fundit kishte fituar lirinë, pavarësisht se ishte kthyer përdorues i rregullt droge. Madje, tani e shtynte në vjedhje nevoja për paratë e drogës. Policia tha se po heton më tej në lidhje me këtë vdekje, ndërkohë që materialet i kanë kaluar prokurorisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›