E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e fermerëve grekë, ndërpritet puna në Kakavijë

GJIROKASTER - Ndërpritet puna në doganën greke të Kakavijës. Bllokimi i lëvizjes së lirë të automjeteve në të dy anët e kufirit nisi dje në orën 16:00, për të vazhduar deri në orën 21:00 të mbrëmjes. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë me dije se bllokimi i lëvizjes në anën greke të doganës së Kakavijës mori shkak nga një protestë. Mësohet se 4 kilometra në thellësi të tokës greke, fermerët vendas bllokuan rrugën në shenjë proteste për masat e marra nga qeveria e këtij vendi (ulja e pagave dhe rritja e taksave). Ndërkohë, ndërprerja e punës në doganën greke, ndryshe nga herët e tjera nuk është shoqëruar me njoftimin në kohë të palës shqiptare. Mësohet se njoftimi për bllokimin e punës tek pala shqiptare ka mbërritur në orën 16:00, pikërisht në momentin që u vendos ndalimi i qarkullimit të lëvizjes së automjeteve në territorin në afërsi të doganës. Burimet e mësipërme sqarojnë se mosmarrja në kohën e duhur të njoftimit ka krijuar kaos në lëvizjen e automjeteve në të dy anët e kufirit mes dy vendeve fqinje.
(GSH/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›