E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e harruar e të mbijetuarve të komunizmit

Njerëz të shtrirë në dysheme. Fytyra të trishtuara e të pafuqishme. Psherëtimat, që të rrëqethnin mishin, dëgjoheshin kudo. Ishin fare të pafuqishëm, por të vendosur për të kërkuar pas 18 vjetësh heshtjeje të drejtat e tyre. Ish të përndjekurit politikë kanë qenë viktima të sistemit komunist për vite me radhë. Të dënuar në më të shumtën e rasteve për agjitacion dhe propagandë, kanë vuajtur dënimin për disa vite. E megjithatë vazhdojnë të jenë të papërfillur edhe sot, në demokraci. Ata ndihen të përçmuar dhe të fyer jo vetëm nga shteti, por edhe nga shoqëria. Tanimë edhe shtëpia e tyre u ka kthyer "kurrizin". Bëhet fjalë për Institutin e Integrimit të të Përndjekurve Politikë, një nga strehët e tyre të përbashkëta. Pensione speciale, mundësi banimi, punësimi, si dhe kompensim të pronave të sekuestruara arbitrarisht nga regjimi komunist janë disa nga kërkesat kryesore të ish të përndjekurve politikë. Këto kërkesa, sipas gjashtë grevistëve, respektojnë Kushtetutën dhe ligjet shqiptare për pafajësinë dhe rehabilitimin e tyre. Konstandin Gjordeni, Mirak Bejko, Fatmir Lamaj, Gjergj Ndreca, Liço Çalaj e Petrit Shpuza janë ata që e nisën grevën më 27 tetor 2009. Ata e kundërshtojnë ligjin nr.9831, datë 12.11.2007. Në zbatim të nenit 44 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, mjafton vetëm vërtetimi i pafajësisë për të marrë dëmshpërblimin ligjor në mënyrë të menjëhershme. Nga ana tjetër, grevistët shprehen se këtë shteti po e bën për të mos i dëmshpërblyer, pasi dosjet e tyre ndodhen në arkivat qeveritare, kështu që ata i zotërojnë ato dokumente. Të dërrmuar nga sistemi apo Sigurimi i Shtetit të asaj kohe, të dhunuar pikologjikisht e fizikisht, të mbajtur larg familjeve për shumë vite, ata janë kthyer në mosbesues ndaj gjithçkaje që ndodh në Shqipëri. U bënë plot 47 ditë që ish të përndjekurit kanë nisur grevën për të kërkuar të drejtat e tyre, për të marrë dëmshpërblimin që u takon nga shteti. Sipas tyre, qeveria u ka premtuar shpesh herë se do t‘i dëmshpërblejë. Fjalë të tilla, sipas grevistëve, janë thënë sidomos gjatë fushatave elektorale, e megjithatë premtimet vazhdojnë t‘i shtohen një liste të gjatë, që mbetet e hedhur mbi një fletë të bardhë. "Ishte viti 1991 kur Kuvendi i Shqipërisë votoi unanimisht për pafajësinë tonë. Pas 18 vjetësh që jemi të lirë, na është nëpërkëmbur dinjiteti dhe të drejtat tona. Ja pse sot bëjmë plot 47 ditë që jemi në grevë, sepse ndihemi të fyer dhe të zhgënjyer nga qeveria aktuale", thotë Gjergj Ndreca, ish i përndjekur politik. Sipas tij, vetëm në Shqipëri "shkelet" Kushtetuta sikur je duke "shkelur" mbi pllakat e dyshemesë. "Pas 18 vjetësh dolëm më në fund t‘u kërkonim ish-diktatorëve komunistë të asaj kohe, por që në fakt janë ende në pushtet, respektimin e të drejtave që na takojnë. Por indiferenca e tyre është e jashtëzakonshme, bëjnë të paditurit, ndërkohë që duhet të ndihen borxhlinj jo vetëm për të na shpërblyer materialisht, por edhe psikologjikisht për vitet që humbëm dyerve të burgjeve, vetëm për shkak të sistemit", rrëfen Gjergji. Ka mjaftuar vetëm një çadër "plazhi", e grisur, për të improvizuar strehimin e tyre për më shumë se një muaj. Ajo ndodhet 40 kilometra larg Parlamentit, vendit ku prodhohen ligje, 30 metra larg komunitetit mysliman, 100 metra nga kisha katolike "Shën Pali", dhe vetëm 500 metra më tej kishës ortodokse. Panoramë kjo si për të treguar që ata nuk i ka braktisur vetëm shteti, por e gjithë shoqëria shqiptare. "U bënë 46 ditë grevë urie dhe nuk janë pak. Mirë do ishte të gjenim një rrugë të përbashkët për zgjidhjen e këtij problemi, po edhe nëse nuk e gjejmë, ne nuk dorëzohemi. Mjaft më kanë luajtur me dinjitetin tonë, kësaj radhe do t‘u tregojmë se nuk do të heshtim më përpara tyre. Situata në çadrën e mjerueshme të vendosur në oborrin e jashtëm të Institutit të të Përndjekurve, as në ambientet e brendshme të tij, shfaqet tepër problematike. Kjo jo vetëm për lagështirën që kishte lagur trupin dhe shpirtin e tyre, por edhe për shkak të komplikacioneve që ishin shfaqur te disa prej grevistëve. Tre prej tyre ishin dërguar në spital vetëm gjatë mbrëmjes së të shtunës. Mosha e tyre ishte mbi të 50-at, fakt që vërteton pamundësinë për t‘i rezistuar fizikisht kësaj lodhjeje mendore e fizike. "Shurdh-memecëria e këtij Parlamenti që kërkon të shkojë në Europë, pa bërë akoma ‘detyrat e shtëpisë‘, është e turpshme. 45 ditë indiferencë, papërfillje, memecëri e shtetit. Kemi arritur në atë pikë sa mendojmë se nuk është më i rëndësishëm dëmshpërblimi, por të paktën të vijnë e të na pyesin se çfarë kërkojmë, të vijnë të flasin me ne. Dua vetëm t‘i shoh përballë dhe t‘i pyes se ku shkoi jeta ime?... Jam i bindur që vetëm ata mund të më përgjigjen për këtë", tregon Gjergji, me sytë e përlotur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›