E Shtunë, 31 Tetor 2026

Verifikimet e dokumenteve zvarrisin lidhjen e pensioneve

Problemet në dokumentacionin e ndërmarrjeve të ndryshme kanë krijuar vështirësi për lidhjen e pensioneve të shumë qytetarëve. Të përballur me vonesat në kohë për lidhjen e një pensioni, personat kanë marrë si përgjigje verifikimet e stërzgjatura që duhen bërë për të zbardhur historikun e punës së tyre ndër vite. "Pas marsit të vitit 1997, për ndërmarrjet e mbyllura dhe ato në likuiditet, u vendos që të gjithë dokumentacionet që ndodheshin në këto ndërmarrje: regjistrat themeltarë, listë-pagesat e punonjësve të njohura ndryshe si borderotë, librezat e punës, librat e indekseve dhe librat e pagave, të dërgoheshin pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Durrës. Këtu u ngrit një komision i përbërë nga tre anëtarë, për të marrë në dorëzim të gjithë këtë dokumentacion të sjellë nga ndërmarrjet", thotë për gazetën Elona Dema, inspektore e Marrëdhënieve me Publikun pranë Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore. Gjatë marrjes në dorëzim të këtij dokumentacioni u konstatuan mangësi të ndryshme. Në atë periudhë kritike, pas marrjes në dorëzim, komisioni i ngritur në atë kohë hartoi procesverbalet përkatëse në të cilat, sipas Demës, u theksua marrja në dorëzim e dokumentacionit me mangësitë e konstatuara. Kështu, u bë certifikimi i dokumentacionit të marrë nga ndërmarrjet, si dhe krijimi i Arkivit të DRSSH-së Durrës. Të gjitha këto mangësi reflektohen në mënyrë të vazhdueshme duke sjellë probleme për shumë prej ish-punonjësve të ndërmarrjeve të mbyllura, por edhe të atyre që janë ekzistuese, por kanë probleme në plotësimin e dokumentacionit ndër vite. Një tjetër problem është hasur dhe në listë-pagesat që ndërmarrjet dhe institucionet e subjekteve private dërgonin pranë Degës së Kontributit, apo në Arkivin e Rrethit. "Shumë nga këto listë-pagesa të periudhës 1994-1997 janë sjellë me mangësi dhe probleme, që hasen edhe sot, duke krijuar vështirësi në marrjen për të mirëqena të të gjitha viteve të punës së një punonjësi", thotë më tej Dema. Problemet në dokumentacionet e ndërmarrjeve, bizneseve dhe institucioneve krijojnë, sipas degës rajonale të Sigurimeve Shoqërore në Durrës, edhe vështirësitë e verifikuesve dhe specialistëve të pensioneve për lidhjen e pensioneve të reja. "Kam lëvizur në të gjithë sektorët e ndërmarrjes ku kam punuar dhe e kam pasur shumë të vështirë për të hedhur të gjitha vitet e punës në librezë. Shumë prej tyre nuk ishin shënuar. Të vjen keq kur sheh faqe të tëra të bardha në regjistrat themeltarë. Çdo faqe është një emër punonjësi. Problem për mua kanë qenë edhe vitet para ‘90-ës, atëherë kur mendohej se kishte më shumë përpikmëri në plotësimin e lëvizjeve të një punonjësi. Më është dashur që dhe të shkoj në gjyq me 3 dëshmitarë, ish-shokë pune, për të verifikuar vitet e punës. Të punosh një jetë dhe të sorollatesh për të pasur një pension", thotë një ish-punonjës i Hekurudhës, i cili vuri nw dukje një tjetër problem që ekziston ende në ditët e sotme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›