Trajtimi i të riatdhesuarve: një hamburger dhe një shishe ujë
Emigrantët, të cilët kthehen si deportivë nga shteti grek pas kapjes së tyre pa dokumente, kanë nisur të trajtohen më njerëzisht në të gjitha pikat kufitare, por ende mes tyre bëhen diferencime dhe trajtimi me ushqim është minimal. Autoritetet e pikës së kalimit kufitar të Kapshticës sqarojnë se pothuajse të gjithë klandestinët që kapen në kufi dhe riatdhesohen nga pala greke, përfitojnë nga kujdesi për sigurimin e ushqimit dhe të transportit falas. Por ushqimi jepet vetëm për ata që kanë shumë ditë pa ngrënë dhe konsiston në një hamburger dhe një shishe ujë, ndërsa transporti sigurohet falas deri në qendrën më të afërt urbane, jo deri në shtëpi.
Autoritetet sqarojnë se gjatë këtij muaji në Kapshticë janë trajtuar shumë klandestinë, ndërsa përparësi kanë pasur personat të cilët kanë qëndruar pa ushqim për një kohë më të gjatë dhe shfaqin shenja të dobësisë fizike. Sipas të dhënave, janë deri në 30 klandestinë në ditë që riatdhesohen, të cilët përfitojnë ushqimin. Ndërkohë, të gjithë të ardhurit në Kapshticë shoqërohen nga policia deri në qytetin e Bilishtit, nga ku më pas nisen drejt familjeve të tyre.
Burime zyrtare të policisë kufitare në Kapshticë kanë sqaruar se të riatdhesuarve nuk u sigurohet udhëtimi falas deri në destinacionin përfundimtar, por deri në qendrën më të afërt urbane, nga ku mund të sigurojnë më pas vetë mjetet e transportit.
Të njëjtat burime kanë thënë se ky trajtim i ri ka nisur të zbatohet prej disa ditësh, ndërkohë që pritet të përfshihen si përfitues të gjithë të riatdhesuarit pa diferencime. Në Doganën e Kapshticës deklarohet se ushqimi falas u jepet aktualisht emigrantëve më shumë në nevojë dhe atyre që nuk kanë mundësi financiare. Kjo kategori emigrantësh klandestinë ka filluar të trajtohet me një hamburger dhe një shishe ujë falas.
Gjatë ditëve të fundit ka pasur një shtim të të riatdhesuarve, që shkon mesatarisht në 50 persona në ditë, të cilët kapen pa dokumente nga ana e policisë greke.
#