E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Greva e minatorëve, pasojë e goditjes së Kushtetutës”

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Socialiste për Integrim mbështet kërkesat e minatorëve që kërkojnë zbatimin e ligjit dhe negociata me qeverinë. Minatorët kërkojnë verifikimin ligjor me vendim gjyqësor të pensioneve të minatorëve dhe negociata me qeverinë për përmirësimin e statusit të tyre. “Ndërsa Qeveria ka ndërprerë pensionet e tyre në mënyrë arbitrare dhe nuk denjon të ulet e të diskutojë me ta për të vënë në rrugën e zgjidhjes problemet që ata paraqesin. Nuk është rastësi që po ata minatorë, të cilët vunë në rrezik jetën e tyre për të rrëzuar diktaturën mbas 18 vjetësh, përsëri vënë jetën e tyre në rrezik për t u përballur me arrogancën dhe arbitraritetin qeveritar”, - tha nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra. Sipas saj, greva e minatorëve është pasoja e goditjes së Kushtetutës dhe ringjalljes së autoritarizmit në natën e 21 prillit, ku u cenua rëndë pavarësia e institucioneve kushtetuese. Ajo theksoi se akti ekstrem i minatorëve, shumë prej të cilëve janë nderuar nga ish-presidenti tani kryeministër me medaljen “Pishtar i Demokracisë” rikonfirmon faktin që me ndryshimet kushtetuese të 21 prillit, në Shqipëri u rivendos diktatura. Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon nga qeveria vendosjen e dialogut dhe fillimin e negociatave me përfaqësuesit e minatorëve për të ruajtur jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre.

Ky lajm është publikuar: 27/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›