Greva e minatorëve, rëndohet gjëndja e një minatori

Ndërsa greva e urisë së minatorëve ka hyrë sot në ditën e 9-të të saj, një minator pritet ta lërë grevën si pasojë e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Minatori Sali Alliu 44 vjeç pritet të largohet nga greva pas komplikacioneve që ka pasur gjatë natës.
Ndërkohë përfaqësuesit e minatorëve kanë paralajmëruar paraditen e sotme një tubim në qendër të qytetit të Bulqizës për të kërkuar plotësimin e kërkesës së fundit të minatorëve për largimin e drejtorit të minierës Medat Zogu.
Kjo kërkesë është hedhur poshtë nga kompania “ACR” ndërsa kjo e fundit ka deklaruar se ka pranuar të gjitha kërkesat e minatorëve, si rritjen e pagës me 20 përqind, pagesën e plotë të një muaji greve, pagën e 13-të, nisjen e investimeve për përmirësimin e kushteve në minierë dhe të sigurisë në punë.