E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përleshje mes banorëve dhe Gardës për pronësinë e rezidencës qeveritare në Vlorë



VLORË - Konflikti i nisur ditë më parë te zonat ku ndodhen rezidencat qeveritare në Ujin e Ftohtë në Vlorë është thelluar ditën e enjte, duke shënuar edhe përplasje mes pretendentëve për pronësinë e tokës dhe ushtarëve të Gardës. Pronarë që deklarohen se posedojnë dokumentacione mbi truallin që është zonë e rrethuar dhe shndërruar zonë ushtarake, janë konfliktuar dje me ushtarë të Gardës si dhe punonjës që shërbejnë brenda zonës së vilave. Nga ana e këtyre të fundit nuk është pranuar të kryhet asnjë ndërhyrje për një ndërtim që pretendohet të realizohet në këtë zonë. Ata nuk kanë lejuar asnjë veprim, por kanë këmbëngulur të kenë gjithë dokumentacionet e nevojshme. Debatet janë përshkallëzuar deri sa palët janë shtyrë me njëri-tjetrin në zonën që rrethon vilën qeveritare. Ndërkohë që në zonë kanë ardhur edhe efektiva të grupit të gatshëm. Siç mësohet sipas autoriteteve të vilave rezidenciale në Vlorë, pritet ardhja e disa përfaqësuesve nga ministria, çka synon negocimin, apo zgjidhjen përfundimtare te konfliktit. Ndërkohë që pretenduesit për pronësinë e tokës rreth rezidencës shtetërore, shprehen se kanë certifikatën e pronësisë, të lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Vlorës, si dhe lejen për ndërtim, të dhënë nga autoritetet vendore.

12 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›