E Diel, 1 Nëntor 2026

Të afërmit e Xhindit: Shteti po fsheh emrin e vrasësit

Roskovec
Dhjetëra njerëz dalin në shesh pas deklaratave të numrit dy të policisë

Pak ditë pas deklaratës së nëndrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, lidhur me gjetjen e autorit që ekzekutoi deputetin e PS-së në zonën e Roskovecit, Fatmir Xhindi, bashkëqytetarët e deputetit të vrarë përsërisin thirrjet për drejtësi. Dhjetëra banorë të Roskovecit janë mbledhur paraditen e djeshme në sheshin qendror të qytezës dhe kanë kërkuar gjetjen e autorit të vrasjes së Fatmir Xhindit. Banorët akuzojnë autoritetet shtetërore se e mbajnë të fshehtë emrin e autorit, që sipas tyre dihet tashmë. “Pak ditë më parë u bënë nëntë muaj nga vdekja e Fatmir Xhindit dhe shteti nuk ka dhënë ende emrin e autorit që e vrau barbarisht në prag të shtëpisë”, thotë xhaxhai i deputetit të ekzekutuar.
Organizatorët e protestës së djeshme në Roskovec kanë sjellë në vëmendje edhe peticionin e firmosur nga më shumë se 1500 banorë të zonës. Ata kanë treguar se këtë peticion në datën 22 dhjetor e kanë depozituar në Kryeministri, në Parlament, te Kryeprokurorja, Presidenti, si dhe tek ambasada amerikane. Banorët e Roskovecit akuzojnë autoritetet e larta shtetërore që nuk janë prononcuar dhe nuk janë treguar të gatshme për të ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes që tronditi vendin më 2 maj të vitit 2009.
Duke kërcënuar se me në krye të afërmit e familjes Xhindi do të përshkallëzojnë protestat, banorët kanë bërë edhe njëherë thirrje për drejtësi. Kujtojmë se familjarët e deputetit të vrarë kanë kërkuar hetim ndërkombëtar për ngjarjen, duke mos besuar tek autoritetet vendase.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›