E Diel, 1 Nëntor 2026

Pavijoni infektivit në QSUT, u infektuan edhe dy të personelit mjekësor



Laureta Rryçi

Tiranë - Në Pavijonin e Infektivit në QSUT janë të rrezikuar dhe personeli mjekësor e jo më pacientët. Për herë të parë zbardhet në një shkrese zyrtare se në këtë pavijon vetëm vitin e kaluar ka pasur dy raste të ekspozimit të gjakut të infektuar ndaj dy personave që i përkasin personelit mjekësor. Fakti tronditës është bërë shkak që Avokati i Popullit, Ermir Dobjani t’i kërkojë masa urgjente për mbrojtjen dhe trajtimin e personave të infektuar qoftë ministres Anila Godo ashtu edhe drejtoreshën Gjeorgjina Kule. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë shkresën zyrtare në të cilët shpjegohet se gjatë një inspektimi të befasishëm janë konstatuar një sërë problemesh. Midis të tjerave, vihej re dhe mungesa e trajtimit financiar të këtij personeli për shkak të shkallës së rrezikshmërisë së punës që ata bëjnë çdo ditë.
Inspektimi
Me iniciativën e Avokatit të Popullit, është bërë një inspektim në datën 29.07.2008 në Spitalin Infektiv në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” Tiranë. Konkretisht gjatë këtij inspektimi u vunë re kushte të mira të ambienteve ku mbaheshin pacientët e shtruar, kuotat ushqimore të mjaftueshme, ushqimi në nivele të kënaqshme, me sistem ngrohje qendror, me dy punonjës social të punësuar, me staf mjekësor të kualifikuar, por me mungesa të medikamenteve në raste të caktuara, të ngritura si shqetësim nga vetë mjekët.
Spitali infektiv nuk dispononte një rregullore të veçantë për funksionimin e jetës së brendshme të tij, por disa rregulla te përgjithshme ishin parashikuar në rregulloren e përbashkët të gjithë QSUT-së. Krahas kësaj, ky spital nuk kishte të miratuar një rregullore të veçantë për trajtimin e pacientëve në kushte karantine. Nga inspektimi u konstatua se nuk kishte të ndara ambiente të veçanta të disponueshme vetëm për karantinën, pasi sipas stafit mjekësor sëmundjet infektive vareshin nga specifika e tyre dhe në bazë të saj bëhej edhe ndarja e tyre. Sipas specialistëve, në karantinë futen rastet e murtajës, ethes së verdhë apo gripit të shpendëve, raste këto para të cilave nuk është gjendur asnjëherë vendi ynë. Për rrjedhojë në asnjë nga ambientet e këtij spitali nuk kishte kufizim të mirëfilltë të lirisë së individit.
Mungesat
Struktura aktuale e pagës së mjekut infeksionist dhe infermierit në QSUT, përkatësisht shtesa për kushte pune në Vendimin e Këshillit të Ministrave ishte në shumën e 2000 lekëve dhe nuk reflektonte vështirësitë e përmendura. Personeli që punonte në këtë shërbim përballej me rreziqe të konsiderueshme të ekspozimit ndaj shkaktarëve patogjenë viralë apo bakterialë, sidomos infeksioni HIV/AIDS si një rrezik mjaft serioz, duke pasur parasysh vdekshmërinë e këtij infeksioni, si dhe mundësinë e transmetimit të tij tek personeli mjekësor. Nga stafi mjekësor u informuam se vetëm gjatë vitit të kaluar ishin raportuar dy raste të ekspozimit të personelit ndaj gjakut të infektuar mjekësor.
Duke e konsideruar këtë trajtim të punonjësve si të pambështetur në ligj, Avokati i Popullit kërkon edhe në këtë aspekt të merren masa urgjente për zgjidhjen e situatës, pasi është detyrë e rëndësishme e institucioneve shtetërore që të marrin të gjitha masat e nevojshme ligjore dhe administrative për parandalimin apo minimizimin e rrezikut të transmetimit të këtyre infeksioneve spitalore tek personeli mjekësor.

Rekomandimet e Avokatit të Popullit
1. Hartimin e një rregulloreje të veçantë të këtij spitali në lidhje me procedurat e trajtimit të pacientëve në kushte karantine.

2. Marrjen e masave për, krijimin e ambienteve të veçanta në spitalin infektiv për t’i paraprirë rasteve të epidemive që mund të sjellin futjen e tyre në karantinë, duke respektuar standardet.

3. Mbështetjen financiare të punonjësve të stafit mjekësor që punojnë në spitalin infektiv (mjek dhe infermier) dhe konkretisht dhënien e shtesës për kushte pune te diferencuar nga kategoritë e tjera edhe sipas ligjit 8689, dt.16.12.2000, “Për Parandalimin e Përhapjes së Infeksionit HIV/AIDS”.

22 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›